Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj ka komentuar sot në Kuvend programin e Partisë Demokratike.
“Shqipëria me ta do të falimentonte që vitin e dytë, tha Ahmetaj teksa analizoi impaktin ekonomik të masave të propozuara nga PD, si ulja në 18% e kontributit të sigurimeve shoqërore, ndërsa shtoi se programi i PD ngarkon me barrë fiskale 95% të shqiptarëve dhe i merr 20 milionë dollarë biznesit të vogël që sot paguan zero taksa!
Ka një pyetje shumë të rëndësishme përtej gjithë diskutimit publik, që një parti vjen me flamurin e vet kryesor të fushatës me uljen e tatim-fitimit për një pakicë biznesesh, që sigurisht meritojnë të ndihmohen, por që në bolorinë e vet politike i ka trajtuar si oligarkë dhe duhet të japë për mendimin tim llogari tek shqiptarët se cila është arsyeja që kërkon t’i vendosi taksë biznesit të vogël, të ngarkojë qytetarin e zakonshëm me të ardhura mesatare dhe të ulëta dhe në anën tjetër të lirojë biznesin e madh, rreth 9 mijë biznesëe, me 590 milionë dollarë në 4 vite.
Këto 590 milionë dollarë sot janë në buxhet, sot përdoren për shkolla, sot përdoren për rrugë, sot përdoren për programe anti pandemi, sot përdoren për studentët, sot përdoren për ata që kanë nevojë për ndihmën ekonomike.
Cila është arsyeja që një parti ndërmerr një fushatë të tërë për të mbështetur 3% të shqiptarëve dhe për të braktisur 97% të shqiptarëve? Cila është arsyeja që ndërkohë që ne nga 1 Janari po aplikojmë filozofinë, sistemin fiskal, 0 taksë për biznesin e vogël, vjen teoria në anën tjetër që të ngarkohen me njëherë 0.5, pastaj 1, pastaj 1.5% të xhiros, konfuzion që duket dhe në korrelimin e shifrave?
Sot, dhjetor 2020 krahasuar me dhjetor 2019, megjithëse një vit i vështirë për shkak të pandemisë dhe tërmetit, kemi 8442 biznese të vogla më shumë sesa një vit më parë. Cila është arsyeja? Arsyeja është psikologjia pozitive e futur nga taksa progresive dhe nga 0 taksë për biznesin e vogël, 8442 më shumë. Kur flasim dhe nuk përmendim shifra dhe bëjmë demagogji sigurisht që mund të helmojmë sa të duash mendje por në racionalitet dhe në përgjegjshmëri përballë shqiptarëve duhet t’i tregojmë çfarë ka ndodhur sot me biznesin e vogël dhe biznesi i vogël ka fituar ndër vite 40 milion dollarë më shumë. Ndërkohë që vijnë dhe kërkojnë t’i vendosin 20 milionë dollarë taksa.
E dëgjuat besoj, që iu referuan se do ulnin kontributin. Kontributi i sigurimeve shoqërore – shëndetësore në Shqipëri është më i ulëti në rajon. Nuk ka në rajon një format kontributi kaq të ulët sa ky që kemi ne dhe ulja është vetëm një lajthitje fiskalo-elektorale në dëm të të gjithë pensionistëve. Kjo do të thotë që defiçiti i skemës së pensioneve të rrëzohet dhe të shkojë gati në 800 milionë dollarë, baraz me kontributet dhe do të thotë që 650 mijë qytetarë shqiptarë pensionistë, që përfitojnë pension, të rrezikojnë, të ngelen pa pension, të rrezikojnë të ngelen pa pension.
Dhe këtu nuk po llogaris fare atë rritje hipotetike gënjeshtare, që rrëzon reformën me minimalisht 5%. Pra nuk është thjesht një program jo fizibël, jo, është tallje. Programi tregon që Shqipëria me ta do falimentonte që vitin e dytë!
Ahmetaj shtoi se taksa progresive dhe taksa zero e biznesit të vogël është themeli i mandatit të tretë të Partisë Socialiste:
“Jo pa qëllim e vendosëm taksën progresive. Në thelb kjo taksë është lirimi nga ngarkesa fiskale e qytetarit të zakonshëm me të ardhura të mesme dhe me ardhura të ulëta dhe janë 960 milionë dollarë në këto 7 vite e gjysmë që kanë kaluar nga buxheti tek këta qytetarë dhe tek këto familje. Taksa 0 e biznesit të vogël, së bashku me taksën progresive është themeli i mandatit të tretë”, tha Ahmetaj./abcnews.al