Të dhënat e INSTAT, Ahmetaj: Ekonomia u rrit me gati 18%, ringritja ndihet edhe te konsumi familjar

schedule11:17 - 30 Shtator, 2021

schedule 11:17 - 30 Shtator, 2021

Referuar shifrave të INSTAT, qeveria ka deklaruar se ekonomia në vendin tonë në tremujorin e dytë të vitit 2021 është rritur thuajse me 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas. Kjo sipas kryeministrit Edi Rama është rritja më e lartë në rajon. “Ekonomia rritet me +18% në tremujorin e dytë dhe shënon rritjen më të lartë në rajon”, shkruan Rama.

Në një deklaratë për mediat zv/kryeministri Arben Ahmetaj ceku disa nga sektorët që janë prekur nga kjo rritje duke deklaruar se ringritja është ndjerë edhe te konsumi familjar. Ahmetaj theksoi se këto nuk janë më shenja por trendë të rëndësishme të shërimit ekonomik falë menaxhimit pas pandemisë dhe tërmetit.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2021 produkti i brendshëm bruto, ekonomia u rrit me 17.89% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020. Një vit më parë në tremujorin e dytë ekonomia pësoi një rënie drastike të krahasuar me atë të vitit 1997. Sa i përket performancës së sektorëve, Duke iu referuar prodhimit, degët kryesore shënojnë rritje të konsiderueshme gati 2-shifrore. Janë 3200 kantiere të rindërtimit dhe ka një transformim të zonave të dëmtuara nga tërmeti.

Industria nxjerrës, uji, energjia po ashtu kanë një rritje domethënëse, pasuar nga hotelet, tregtia. Sinjali tjetër pozitiv vjen nga krahu i shpenzimeve, Statistikat janë të rëndësishme. Te konsumi familjar ndihet ringritja dhe rimëkëmbja ekonomike. Për shkak të elementëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë dhe tërmetit po japin efekte pozitive në ekonomi.

Konsumi në familje është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë. Së dyti formimi bruto i kapitalit fiks është rritur me 25.7%. Performanca pozitive është parë edhe në eksporte dhe importe por edhe konkurrueshmërinë që reflekton edhe te konsumi dhe kapacitetet prodhuese”, tha Ahmetaj.

Ai deklaroi se në janar të vitit 2021 u rifituan të gjitha vendet e punës të humbura për shkak të pandemisë. Zv/kryeministri nënvizoi se rimëkëmbja mbetet prioriteti kryesor për punën e qeverisë. Ahmetaj theksoi se do të krijohen më shumë vende pune për të ndihmuar sektorët më të prekur.

“Këto nuk janë më shenja por trende të rëndësishme të shërimit ekonomik që po vazhdon të konsolidohet dita ditës falë një menaxhimi të kujdesshëm pas pandemisë dhe tërmetit. Ne ndoqëm një politikë ekspancionale. Një paketë gjithëpërfshirëse prej 80 mln lekë ka qenë për pandeminë, përmes pagave të luftës dhe garancisë sovrane u mbështetën gati gjysma në sektorin privat. Në vitin 2020 dhe 2021 dyfishuam dhe pagesën e papunësisë, garantuam paketën e barnave për trajtimin e virusit. falëm kamat-vonesat për mbi 210 mijë konsumatorë.

Ndërhyrja e vlefshme që bëmë u shpërblye mbrapsht. Në janar 2021 i rifituam vendet e punës që humbëm për shkak të pandemisë.  Rritja ekonomike po rikthehet në trajektore të konsoliduar pozitive drejt objektivit tonë për në rritje ekonomike vjetore. Rimëkëmbja do të mbetet prioriteti kryesor për punën tonë. Do krijojmë më shumë vende pune duke mbështetur sektorët më të prekur. Gjithë puna që i dedikohemi këto katër vite është e përshkruar me detaje në programin e qeverisë, Jam modestisht i kënaqur të them që trendet e para janë shpresëdhënëse”, tha ai. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!