Ahmedi zyrtarisht “kroat”: Dua ta ndihmoj ekipin tim!

schedule09:17 - 28 Shtator, 2019

schedule 09:17 - 28 Shtator, 2019

Kiryat Shmona ishte ekipi i tij i fundit i Valon Ahmedit, i cili së fundmi është transferuar në Kroaci. Sulmuesi anësor do të jetë pjesë e Inter Zapresic. Gjithçka është zyrtare, ndërkohë që 24-vjeçari ka folur për faqen zyrtare të klubi.

“Do të doja të falënderoja Inter Zapresic për këtë mundësi. Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu. Do të bëj çmos për të ndihmuar ekipin me golat dhe asistet e mia. E di situatën e ekipit, por besoj se e ka cilësinë të ngjitet në renditje”, është shprehur Ahmedi.

Më pas ai ka folur për karrierën e tij: “Kam luajtur për Celje dhe më pas bëra një hap përpara në karrierë, duke u transferuar te Maribori. Është klubi më i mirë në Slloveni, më të cilin luajta edhe katër ndeshje në Champions League. E gjithë përvoja ime në Slloveni ishte e bukur. Gjithashtu ishte bukur edhe në Izrael, ku luhet një futboll shumë i shpejtë”.

Në fund ai tregon se lojtari i tij i preferuar është Mesuz Ozil, ndërkohë që në lidhje me futbollin kroat shtoi: “Se sa i fortë është futbolli kroat, mjafton të flasësh për fitoren e madhe të Dinamo Zagreb kundër Atalanta (ndeshja mes tyre në Champions përfundoi 4-0). Kroatët kanë një numër të madh lojtarësh, të cilët janë me të vërtetë të shkëlqyeshëm”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!