Në një studim të thelluar mbi ikonografinë shqiptare, studiuesi i artit Ahilino Palushi ndalet te jeta dhe vepra e “gjeniut të ikonografisë dhe 1000 afreskeve”, duke hedhur dritë mbi një nga periudhat më të ndritura të artit para-modern në Ballkan.
Voskopoja shfaqet në këtë rrëfim si një Kostandinopojë e vogël, një qendër e jashtëzakonshme kulturore dhe shpirtërore, ku arti, feja dhe estetika u ndërthurën në mënyrë unike. Sipas Palushit, ikonografia ishte trualli kryesor i artit të asaj kohe, ndërsa dy emra dominuan epokën: Onufri dhe David Selenica.
Onufri mbetet i papërsëritshëm për përdorimin e të kuqes së tij ikonike, një ngjyrë që sfidoi kanonet tradicionale dhe u kthye në shenjë identitare të stilit të tij pikturik. Ndërsa David Selenica dallohet për të zezën, për qasjen më grafike dhe skenike, duke i dhënë ikonës një thellësi dramatike dhe kompozicionale. Studimi thekson se arti modern është frymëzuar fuqishëm nga arti bizantin, veçanërisht nga këta dy mjeshtër, të cilët arritën të krijojnë vepra me përmbajtje fetare, por me vlera të jashtëzakonshme estetike dhe artistike. Ilustrimi i Biblës, i realizuar nga mjeshtra të mëdhenj, nuk mbeti vetëm një akt besimi, por u shndërrua në një manifest arti.
“Vlerat artistike ia dolën të dilnin jashtë kanoneve të fesë”, thekson Palushi, duke nënvizuar se piktorët bizantinë ishin ndër më të paguarit e kohës dhe e trashëgonin zanatin brenda familjes, si një pasuri të çmuar shpirtërore dhe profesionale. Një nga kulmet e këtij arti mbetet Kisha e Shën Mërisë në Voskopojë, një dëshmi e gjallë e madhështisë së ikonografisë shqiptare dhe e një tradite që vazhdon të frymëzojë edhe sot. Në përmbyllje, Palushi e përkufizon qartë dallimin stilistik: Onufri me pikturikën e tij të ngrohtë dhe ekspresive, Selenica me grafikën dhe skeniken dramatike, dy rrugë të ndryshme, por që bashkë formësojnë themelet e artit tonë pamor.


