Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 6 shtator viziton Gjermaninë, ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse që kanë ndodhur gjatë luftës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.
Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt, sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane.
Ky zëdhënës nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë udhëheqësi ukrainas në Gjermani.
Por, media gjermane Der Spiegel, ka raportuar se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit – ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara – që do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein. Kjo media raportoi se Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.
Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën. /rel