Agresioni rus, pse Scholz do paqe “të shpejtë” në Ukrainë?

schedule11:51 - 15 Shtator, 2024

schedule 11:51 - 15 Shtator, 2024

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit se ka ardhur koha për bisedime paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Opozita gjermane e kritikon qeverinë. Edhe Moska ka reaguar.

Në kancelarinë e Berlinit ekziston mendimi, se ka ardhur koha për përpjekje më intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në një intervistë me ZDF më 8 shtator, kancelari Olaf Scholz tha: “Unë mendoj se tani është momenti kur ne gjithashtu duhet të diskutojmë se si mund të kalojmë nga kjo situatë lufte në paqe më shpejt sesa duket aktualisht.” Por socialdemokrati nuk ka dhënë ndonjë sugjerim konkret për këtë. Megjithatë, ai mbështeti idenë që Rusia gjithashtu duhet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të paqes në Zvicër.

Kritika nga opozita, mbështetje brenda koalicionit

Opozita konservatore e CDU/CSU në Berlin reagoi menjëherë ashpër pas fjalëve të Scholz. “Kjo lëvizje e kancelarit ishte e parashikueshme sepse përshtatet në strategjinë e pjesëve brenda SPD që duan ta shtyjnë me kujdes Ukrainën në një paqe të rreme të diktuar nga Rusia, në të cilën mbështetja gradualisht zvogëlohet dhe në vend të kësaj kërkohen negociata të rreme,” tha politikani i CDU-së për çështjet e jashtme, Roderich Kiesewetter për “Bild”. Edhe kolegu i tij i partisë së tij, Jürgen Hardt theksoi për Berliner Zeitung se “nuk mund t’i bësh Putinit një nder më të madh sesa ta detyrosh Ukrainën në tryezën e bisedimeve ndërsa ai vazhdon të vrasë në Donbass”. “Ne të gjithë duam negociata, por i takon agresorit të ndalojë agresionin”, tha Hardt.

Skeptikë janë edhe Të Gjelbrit, pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, bashkëkryetar i Të Gjelbërve, Omid Nouripour tha në Berlin se gatishmëria në Kremlin për të pasur “diskutime në kushte të barabarta” nuk është veçanërisht e madhe. Megjithatë, negociatat me Rusinë janë të nevojshme, edhe në formën e konferencave të paqes, tha bashkëkryetari federal i Aleancës 90/Të Gjelbërit.

Skepticizëm gjen edhe tek liberalët, FPD. Zëdhënësi i politikës së jashtme të FDP-së, Ulrich Lechte, i tha Berliner Zeitung se ndërsa partia e tij është e mendimit se diplomacia asnjëherë nuk është e pakët, ai e konsideron të pamundur që Putin të jetë i gatshëm të ulet në tryezë me Ukrainën dhe të tërheqë trupat e tij. “Një paqe e re e rremë, siç u ra dakord përfundimisht me marrëveshjen Minsk II, për mendimin tim është krejtësisht e papranueshme”, tha Lechte.

Zgjedhjet e landeve – lufta në Ukrainë

Deklarat e Scholz për të ulur Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve nuk është e befasishme për vëzhguesit. Humbjet e hidhura të socialdemokratëve në zgjedhjet shtetërore në shtetet lindore të Gjermanisë, Saksoni dhe Tyringi, ka të ngjarë të jenë një nga arsyet e komenteve të kancelarit, siç janë edhe zgjedhjet e ardhshme në landin e Brandenburgut, gjithashtu në Gjermaninë Lindore, më 22 shtator. Ky land aktualisht qeveriset nga kolegu i partisë së Scholz-it, Dietmar Woidke.

Alex Yusupov, drejtues i programit për Rusinë në Fondacionin Friedrich Ebert, beson se Scholz do të mbështetë Woidken dhe dëshiron të sinjalizojë se edhe Berlini zyrtar mendon, “që lufta duhet të përfundojë sa më shpejt se vonë – gjithashtu me negociata dhe jo vetëm me mjete ushtarake”. Në një intervistë për DW, politologu theksoi se partitë populiste do ta përdornin si avantazhin e tyre, nëse kancelari do të shpërfillte çështjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Kurse politologu ukrainas, Volodymyr Fesenko mendon, se Scholz po përpiqet të gjejë një ekuilibër të caktuar politik. “Ai e ka parë trendin. Tema e bisedimeve të paqes është duke u diskutuar në mënyrë aktive dhe Scholz për këtë arsye ka vendosur të flasë për të, veçanërisht pas takimit të fundit me Zelensky,” tha Fesenko. Ai është i bindur se kancelari synon t’i përshtatet atmosferës politike të brendshme dhe kështu të forcojë pozicionin e tij përpara zgjedhjeve federale të vitit të ardhshëm.

Por Fesenko sheh një theks të ri të vendosur nga Scholz. Deri më tani, është mbajtur qëndrimi që vetëm Ukraina duhet të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh do të fillojnë negociatat me Rusinë, thekson Fesenko. “Tani Scholz e shpreh pak më ndryshe, por deklarata e tij nuk përmban asgjë konkrete dhe asgjë të bujshme.” Fesenko beson, se debatet për negociatat e paqes do të shtohen dukshëm pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.

Ka Gjermania influencë tek Rusia?

Andrij Melnyk, ish-ambasadori i Ukrainës në Gjermani, i tha së fundmi Berliner Zeitung: “Personalisht, unë besoj se kancelari Olaf Scholz mund të bëhet kreativ dhe të përdorë kanalet ekzistuese diplomatike të Gjermanisë për të parë nëse bisedimet me Putinin do të kishin kuptim.”

Por çfarë do të thotë kjo konkretisht? Studiuesi i shkencave politike, Alex Yusupov beson se Berlini nuk mund të furnizojë Ukrainën me armë dhe në të njëjtën kohë të veprojë si një ndërmjetës neutral në negociata. “Gjermania ka humbur çdo ndikim mbi Rusinë. Kremlini nuk e sheh Berlinin si një aktor të pavarur,” thekson eksperti. Gjermania është në anën e Kievit, kështu që Berlini definitivisht nuk do të iniciojë “Minsk III”.

Vetë, Kremlini reagoi i rezervuar pas deklaratave të Scholz për të shtuar përpjekjet diplomatike. Sipas Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, aktualisht nuk ka parakushte për fillimin e një procesi paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës. Nuk pati deklarata nga “vendi që dirigjon të gjithë këtë proces dhe Perëndimin kolektivisht”, tha ai, ku nënkuptohen Shtetet e Bashkuara.

Ukraina kujton formulën e paqes

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal siguroi gazetarët më 10 shtator se Kievi dëshiron të tërheqë një përfaqësues të Rusisë për bisedime në samitin e ardhshëm të paqes në mënyrë që të “parandalojë manipulimin nga ana e Federatës Ruse dhe t’u demonstrojë të gjithë pjesëmarrësve aftësinë ose paaftësinë e tyre për të negociuar paqen.” Në korrik, Moska refuzoi të marrë pjesë me arsyetimin se Rusia “nuk i pranon ultimatumet” që ndjekin “formulën” e presidentit ukrainas.

Ndërkohë, Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, kujtoi në Telegram se e vetmja rrugë drejt drejtësisë është “ekskluzivisht formula ukrainase e paqes, normat e së drejtës ndërkombëtare si edhe integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës”. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!