Agon Hamza/ Për t’u mirëmbajtur gjendja e tanishme, duhet një sasi enorme dhune për të ruajtur paqen

schedule20:16 - 10 Qershor, 2021

schedule 20:16 - 10 Qershor, 2021

Autori, veprimtari dhe punonjësi shkencor nga Prishtina Agon Hamza në një rrëfim për “Refleksione” ndau mendimin e tij lidhur me nevojën për radikalizëm në politikë.

“Nuk është se radikalizmi është i dhunshëm. Mos harroni që për t’u mirëmbajtur gjendja ekzistuese, gjendja e tanishme e gjërave  ne rendin dhe në dispozitat në të cilat janë të vendosur trupat në botë, duhet një sasi enorme e dhunës për ta mbajtur paqen në nivelin administrativ, në nivelin juridik, madje edhe në nivelin e dhunës së organizuar shtetërore në aparatet e dhunshme të shtetit, si policia, ushtria, shërbimet inteligjente. Problemi qëndron jo me dhunën apo me radikalizmin si të tillë por me të kundërtën e saj. Çfarë nënkuptohet sot kur flitet për radikalizëm në politikë? Nëse lexoni kur blini çaj të gjelbër aty thuhet se largon të gjitha toksinat nga trupi. Pra funksionon si purifikues i trupit të njeriut. Kështu e ka funksionin edhe koncepti i dhunës apo i radikalizmit në politikë. Hiq radikalizmin ku ne përfundojmë me këtë shoqërinë administrative e cila është më e dhunshme se secila skemë që po e shohim tani. Degradojmë nga politika në teknokraci, pra në mirëmbajtje të rendit ekzistues të gjërave mirëpo duke i bërë pak më humane.

Domethënë taksa më të larta, të drejtat e njeriut, zgjerim të aplikimit të të drejtave të njeriut në grupe të caktuara shoqërore përfshirje të të gjithëve në jetën politike, ekonomike. Një filozof francez këtë e quan proces i interpelimit, identifikim me tjetrin. Në anën tjetër, varet ca po nënkuptojmë me dhunë. Për shembull sot njëra nga aktet më të dhunshme në këtë botë do të ishte të mos I japim para bankave. Nuk ka dhunë më progresive, emancipuese se kjo. Gjithë zinxhiri I riprodhimit kapitalist do shkëputej menjëherë. Politika nuk është arti I së mundurës ashtu siç na e  mësojnë në diskursin tolerant liberal demokratik. Politika është pikërisht arti i të pamundurës, këtu është problemi i Marksit kur thotë që njeriu përgjatë gjithë historisë i vendos vetvetes vetëm probleme të zgjidhshme. Politika është ekzaktësisht e kundërta. Dhuna nuk është gjithmonë dhunë fizike, vrasje apo internime. Problemi i stalinizmit është pikërisht ky sepse pamundësia e realizimit të idesë e ka dërguar atë në një aplikim të pashoq në historinë e njerëzimit të dhunës shtetërore. Dhuna nënkupton shkëputjen me të tashmen, rifillimin e një aktualiteti  të ri.

Kur flasim për shembull për militantin politik, sidomos në mediat në Kosovë dhe në Shqipëri, analistët kur duan ta përçmojnë dikë thonë që ky është militant. Por politika nuk bëhet pa militantë! Niveli teknokratik I mendimit është ai i aktivistit i cili funksionon gjithnjë brenda rendit të situatës. Militanti është ai që e bën shkëputjen.