Agolli jep intervistën e parë në Amerikë: I lumtur te Kozmosi

schedule20:01 - 11 Prill, 2019

schedule 20:01 - 11 Prill, 2019

Ish-kapiteni i ekipit përfaqësues, Ansi Agolli, jep intervistën e parë në Amerikë. Mbrojtësi veteran vlerësoi ekipin e tij të ri, Nju Jork Kozmosin, dhe foli për karrierën.

Maksimumin e arriti me kombëtaren, por emocionet kanë qenë të forta kudo. Ansi Agolli, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, tashmë ka nisur një aventurë të re në karrierë, tek Nju Jork Kozmosi në Amerikë, besohet etapa e fundit e 36-vjeçarit. Pa humbur kohë, mbrojtësi shqiptar dha intervistën e parë për klubin.

“Amerika është një kapitull i ri për mua. Ndihem shumë mirë në skuadër. Në dhomën e zhveshjes jemi si një familje, dhe unë mezi po pres që të nis të luaj dhe që të marr rezultate”.

Agolli vlerëson Kozmosin, por edhe veten si ish-kapiten i Shqipërisë.

 “Në Shqipëri, të gjithë e ndjekin futbollin. Kur thua Amerikë, Kozmosi është skuadra e parë që të vjen në mendje. Është klub tradite dhe do të bëj çmos që ta ndihmoj që të vazhdojë këtë traditë. Jam i nderuar për këtë mundësi, si dhe për faktin se kam qenë kapiten i Kombëtares shqiptare, madje edhe në Europian. Ishte përgjegjësi e madhe dhe jam krenar për atë që kam bërë me fanellën e kombëtares”.

Më pas, ai flet për dy dashuritë e tjera të mëdha të jetës, së pari për Tiranën.

 “Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Kam luajtur me akademinë e Tiranës dhe me skuadrën e parë. Është klubi që ka më shumë trofe në Shqipëri, si dhe klubi që më dha dorën që të futesha në futbollin e madh, që më injektoi mentalitetin fitues”.

Nuk mund të harronte Karabakun e Azerbajxhanit.

 “Kam luajtur shumë vite me Karabakun, dhe e quaj si masterin e karrierës sime, sepse mësova shumë gjëra, sidomos nga njerëzit. U nisëm nga zero dhe më pas arritëm majat. Këtë histori e kujtoj sa herë e shoh veten në vështirësi. Patëm gjëra shumë të bukura, që nga titulli i parë e deri te grupet e Ligës së Europës, ndërsa qershia mbi tortë ishte kur hymë në grupet e Ligës së Kampionëve, ku luajtëm me Çelsin apo Atletikon, me të cilën barazuam”.

Trajneri i Kozmosit, Karlos Mendez, e vlerëson lart shqiptarin, duke thënë se :”Ansi është një lojtar i nivelit më të lartë, e kam ndjekur dhe më ka bërë përshtypje sidomos mentaliteti i tij”. Mendez thotë se Agolli është një djalë që punon shumë, lufton mjaft dhe zotëron përvojë të madhe”.

Agolli shpreson që edhe te Kozmosi të bëjë atë që bëri tek Tirana dhe Karabaku, pra të fitojë trofe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!