Mesfushori i Milanit, Hakan Calhanoglu, është drejt rinovimit me kuqezinjtë. Ylli i kombëtares turke ishte një nga më të mirët në Serie A në periudhën e rifillimit të futbollit dhe tashmë drejtuesit e “Djallit” kërkojnë ta blindojnë atë në Milano.
Sipas raportimit të “Calciomercato.com”, agjenti i 26-vjeçarit pritet të udhëtojë drejt Milanos për të diskutuar rreth rinovimit të kontratës. Marrëveshja aktuale e Hakan përfundon në vitin 2021 dhe Milan do t’i ofrojë rinovimin deri në vitin 2024.
Gjithashtu në kontratë e re pritet dhe një rritje page për mesfushorin, i cili konsiderohet si një nga pikat më të forta të skuadrës. Calhanoglu arriti të shënojë 11 gola dhe dhuroi 9 asiste për shokët e ekipit dhe të gjithë tifozët kuqezinj shpresojnë që të shikojnë Hakanin e fund sezonit përgjatë gjithë vitit. /abcnews.al