Rinovimi i Lautaro Martinez me Interin vazhdon të jetë një çështje e nxehtë në Milano. Barcelona dhe gjigantë të tjerë të Europës e duan argjentinasin dhe po punojnë në prapaskenë për ta bërë të tyrin. Inter e ka nuhatur mirë situatën dhe nga Italia raportojnë për bisedime mes agjentëve të lojtarit dhe drejtuesve të klubit.

Së fundmi përfaqësuesit e yllit latin kanë folur në lidhje me tratativat e zgjatjes së kontratës me Interin dhe vënë në dukje se çështja financiare nuk është një problem për Lautaron. Roly Zárate dhe Beto Yaqué shprehen se për rinovimin e Lautaros ka çështje të tjera që duhet të zgjidhen, pa i zbardhur apo specifikuar diçka konkrete. Kontrata aktuale e Lautaros me Interin mbyllet në vitin 2023, por klauzolat e veçanta të largimit e trembin klubin zikaltër dhe e shtyjnë të rinovojë me 23-vjeçarin.
“Mosmarrëveshjet ekonomike janë një gënjeshtër e madhe. Interi nuk na ka ofruar asgjë dhe Lautaro nuk ka kërkuar më shumë para. Ka arsye të tjera që e shtyjnë marrëveshjen dhe interesa të tjerë për të folur në lidhje me këtë çështje. Lautaro është mirë, ai e di që duhet të përqendrohet në fushë dhe nuk duhet t’i japë rëndësi asaj që thuhet, e cila nuk është e vërtetë”, u shprehën njëzëri agjentët e argjentinasit. /abcnews.al

