Afrika e Jugut me mbi një milion raste me koronavirus

schedule10:10 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 10:10 - 28 Dhjetor, 2020

Afrika e Jugut u bë vendi i parë në kontinent që regjistroi mbi një milion raste me koronavirus. Shifra u kumtua nga ministri i Shëndetësisë, Zweli Mkhize.

Ai tha se ky vend ka konfirmuar mbi një milion infektime dhe 26,735 viktima, që nga shpërthimi i pandemisë në muajin mars. Këto shifra vijnë vetëm disa ditë pasi autoritetet konfirmuan se kanë zbuluar një variant të ri të koronavirusit në Afrikën e Jugut, me përhapje më të shpejtë.

Disa spitale dhe qendra mjekësore raportuan rritje të madhe të pranimit të pacientëve. Varianti i ri i koronavirusit – i njohur si 501.V2 – besohet se po nxit rritjen e infeksioneve.

Ai është identifikuar nga një rrjet i shkencëtarëve të Afrikës së Jugut në provincën e Kepit Lindor dhe më pas është përhapur në pjesë të tjera të vendit. Një tjetër variant i ri i koronavirusit është zbuluar tashmë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, por të dyja këto variante kanë evoluar veçmas.

Të dyja kanë një mutacion – të quajtur N501Y – i cili është një pjesë thelbësore e virusit, që ai përdor për të infektuar qelizat e trupit. Pas Afrikës së Jugut, vendi më i goditur në kontinentin afrikan është Maroku, i cili ka konfirmuar mbi 432,000 raste dhe 7,240 viktima.REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!