Nga Heather Barr, euronews
“Kur i humbëm të tre, ata thanë se ishte vullneti i Zotit,” tha Sajida, 26 vjeç, duke përshkruar reagimin e mjekëve kur tre foshnjat e saj humbën jetën brenda disa javësh.
“Ata ishin nënpeshë dhe kishin probleme me zemrën.”
Askush nuk kishte qenë në gjendje t’i tregonte asaj se çfarë kishte ndodhur ose ta siguronte që e njëjta gjë nuk do të ndodhte më. Afganistani nuk ka një sistem të kujdesit shëndetësor funksional – dhe kurrë nuk ka pasur nevojë për mbështetje të vazhdueshme të Bashkimit Europian për shërbimet thelbësore në vend më shumë sesa ka tani.
Sipas një studimi të ri shkurtimet e ndihmave nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë në vitet e fundit tashmë kanë dëmtuar qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, duke shkaktuar më shumë viktima. Shërbimet shëndetësore që dikur ishin falas, nuk janë më, pasi spitaleve u mungojnë paratë për të paguar furnizimet themelore.
Këto kosto duhet t’i paguajnë pacientët, shumë prej të cilëve nuk mund t’i përballojnë ato, apo edhe të përballojnë transportin në një institucion shëndetësor, pasi pandemia COVID-19 rriti në mënyrë dramatike shkallën e varfërisë në Afganistan nga 55 përqind në rreth 61 në 72 përqind në 2020.
Gratë afgane përballen me shtatzëni të rrezikshme për shkak të kujdesit joadekuat mjekësor. Vdekshmëria e nënave dhe foshnjore mbetet shumë e lartë. Ky është një moment i tmerrshëm për gratë në Afganistan. Njoftimi se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani para 11 shtatorit ka rritur frikën në një vend tashmë të shkatërruar nga 40 vite luftë.
Vende të tjera të NATO-s planifikojnë të tërheqin forcat e tyre në koordinim me SHBA. Dhuna mund të rritet dhe Talibanët mund të zgjerojnë në mënyrë dramatike kontrollin e tyre. Secili skenar do të ishte shkatërrues për të drejtat e grave.
BE ka një rol thelbësor duke i siguruar gratë që ato do të jenë të sigurta dhe se nuk do të rikthehen më në kushtet e 2001 kur, nën sundimin e Talibanëve, atyre u ishte mohuar sistematikisht qasja në arsim, punësim dhe lirinë për të lëvizur.
Ndihma ndërkombëtare për Afganistanin nuk është më e njëjta prej vitesh. SHBA, donatori më i madh i vendit, ka zvogëluar ndihmën. BE ka qenë një mik për Afganistanin, në një kohë kur donatorë të tjerë janë tërhequr, duke siguruar më shumë se 4 miliardë euro në ndihmë që nga viti 2002.
Në konferencën e dhuruesve të Gjenevës në nëntor 2020, BE premtoi 1.2 miliardë euro për katër vitet e ardhshme, që përputhet me premtimin e saj për periudhën e mëparshme katër-vjeçare, në një moment kur premtimet e përgjithshme për ndihmë u zvogëluan me rreth 20 përqind.
Sot, donatorët dhe organizatat që ofrojnë shërbime në Afganistan janë në pritje, dhe donatorët nuk dëshirojnë të angazhohen. Një pyetje thelbësore është nëse BE dhe donatorët e tjerë do të mbajnë premtimet e tyre, në Gjenevë dhe gjetkë nëse situata përkeqësohet ndjeshëm ose talebanët marrin më shumë kontroll.
Përgjigja duhet të jetë një “po” thelbësore. Donatorët duhet t’i japin përparësi përmbushjes së nevojave urgjente të Afganëve – duke përfshirë kujdesin shëndetësor për gratë dhe vajzat. Organizatat joqeveritare dhe qeveria afgane kanë marrë mësime të vështira, por të vlefshme për ofrimin e shërbimeve mes pasigurisë së madhe dhe në zonat nën kontrollin e talebanëve.
Ata mund t’i ofrojnë këto shërbime – nëse kanë burime të mjaftueshme. Donatorët në Afganistan duhet të vlerësojnë nevojën për ndihmë dhe angazhimin e tyre për ta siguruar atë, veçmas nga tërheqja e forcave.
Ata duhet të vlerësojnë nevojën urgjente në Afganistan dhe të mos përdorin zhvillimet politike dhe të sigurisë për të justifikuar tërheqjen nga detyrimet kur nevoja për ndihmë ndërkombëtare është më e madhe se kurrë.
Për shembull Zarmina, në moshën 27 vjeç ishte në pritje të fëmijës së saj të katërt. Ajo kurrë nuk kishte marrë kujdes para lindjes apo gjatë shtatzënive të mëparshme sepse familja e saj nuk mund ta përballonte koston. Atë ditë ajo kishte frikë se do të duhej të lindte me operacion cezarian, por nuk kishte para. Ajo çfarë BE duhet të përpiqet edhe më shumë në Afganistan është të sigurojë fonde të pandërprera për shërbimet thelbësore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al