Presidenti Donald Trump ka zbuluar planin e tij për të reduktuar ndjeshëm numrin e trupave në Afganistan. Megjithatë, ai ka theksuar se prania amerikane në vend do të mbetet, edhe nëse arrihet një marrëveshje paqeje me guerrilasit talebanë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi të enjten se niveli i trupave amerikane në Afganistan do të reduktohet në 8 mijë e 600, të cilat do të vazhdojnë të qëndrojnë atje edhe nëse Uashingtoni arrin një marrëveshje me talebanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare. “Do të na duhet të mbajmë një prani. Do ta reduktojmë në mënyrë të ndjeshme, por do ta mbajmë”, tha Trump në një intervistë për “Fox Neës”, ku shtoi se pala amerikane do të ketë edhe një prani të shërbimeve të inteligjencës. Aktualisht në Afganistan ndodhen rreth 14 mijë trupa amerikane, rreth 5 mijë prej të cilave shërbejnë për operacione kundër grupeve rebele që organizojnë kryengritje. Një zëdhënës i talebanëve deklaroi të mërkurën se ishin pranë një marrëveshjeje finale me autoritetet amerikane, që parashikon tërheqjen e trupave në këmbim të premtimit se vendi nuk do të bëhet parajsë për grupet militante islamike. Si negociatorët amerikanë ashtu edhe ata talebanë raportuar për progres në javët e fundit, duke rritur shanset për t’i dhënë fund konfliktit. Zalmaj Khalilzad, përfaqësuesi i Uashingtonit në bisedimet për paqen, pritet të udhëtojë këtë javë në Kabul për një takim me liderët afganë. Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin në vitin 2001 dhe rrëzuan regjimin e liderëve talebanë, pasi këta të fundit refuzuan të dorëzonin disa anëtarë të Al Kaedës, përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit ndaj Kullave Binjake në Nju Jork dhe Pentagonit në Uashington. /ABC News Albania 24/7