Aeroporti i Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur? Inxhinieri: Deklarata e Klosit, lapsus

schedule19:39 - 23 Shkurt, 2021

schedule 19:39 - 23 Shkurt, 2021

Inxhinieri i mjedisit Mirjan Topi e ka quajtur një lapsus deklaratën e bërë nga ministri i Mjedisit Blendi Klosi se projekti për ndërtimin e aeroportit të Vlorës nuk e prek zonën e mbrojtur. Në studion e Radarit Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu, Topi u shpreh se plani përfshin jo vetëm zonën tradicionale por shtrihet deri në atë qendore.

“Është përmendur zona dhe projekti dhe thuhet që zhvillimet e kësaj natyre në zonat e mbrojtura bien ndesh me konventat që ne kemi ratifikuar. Zona e gjelbër përfaqëson kufijtë e zonës së mbrojtur që ka statusin e peisazhit të mbrojtur. Është kategoria e pestë e zonave të mbrojtura.  Pista planifikohet në aerodromin e vjetër. Ky plan përfshin jo vetëm zonën tradicionale por shtrihet deri në zonën qendrore.

Në zonën e përdorimit tradicional, është zonë që do vazhdojë të përdoret sikurse është përdorur deri tani. Nëse do ishte përdorur për aviacion civil mund të ishin dakord edhe ne. Do përdoret në bazë të praktikave tradicionale. Besoj se deklarata e ministrit Klosi ka qenë një lapsus”, tha Topi.

Ai deklaroi se ndikimi që projekti sjell në trashëgiminë kulturore është i pashmangshëm duke theksuar se Shoqatat nuk janë kundër ndërtimit të aeroportit por kundër vendosjes së tij në zonë të mbrojtur.

“Kur aplikohet shkalla e parë e mbrojtjes nuk lejohet asnjë lloj tjetërsimi. Krahas zonës së përdorimit tradicional do të preket edhe zonë tjetër. Është zonë e mbrojtur. Edhe sikur të mos preket zona qendrore nuk ligjërohet ky investim në atë zonë.

Ndikimi që projekti sjell në trashëgiminë kulturore është i pashmangshëm. Ne shpesh jemi akuzuar se shohim vetëm në një drejtim. Unë nuk e mohoj që jemi të prirur dhe është detyra jonë të ruajmë mjedisin. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, por kundër ndërtimit të tij në një zonë të mbrojtur. Nuk jemi as kundër qeverisë. Është naive që përcaktohet në këtë formë. Ajo që ne po bëjmë është në dobi edhe të vetë kësaj qeverie për të shmangur një shkelje të tillë”, theksoi ai.

Po nëse qeveria do e heqë Nartën nga lista e zonave të mbrojtura? Topi e quan këtë skenarin më të keq të mundshëm pasi kjo zonë mban statusin kandidate për Emerald.

“Ky do ishte skenari më i keq. Çështja është e ngritur. Kjo zonë mban statusin kandidate Emerald. Janë dërguar dy paralajmërime.  Ne kemi kërkuar një dëgjesë që në vitin 2018. Kemi dërguar një letër kryeministrit duke e paralajmëruar që kjo ide nuk është e dobishme dhe nuk i shërben vendit. Është thënë nga ekspertë të fushës që Shqipëria ka një shans për t’u zhvilluar. Ne kemi pasur edhe shanse të tjera në të shkuarën që I kemi humbur nga vendimmarrja e verbër”, deklaroi Topi./mv.abcnews.al