Aeroporti i Bejrutit në kaos, libanezët largohen nga frika e luftës me Izraelin

schedule08:26 - 5 Gusht, 2024

schedule 08:26 - 5 Gusht, 2024

Kaosi ka përfshirë aeroportin e Bejrutit në Liban, pas rritjes së frikës për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Qindra qytetarë po largohen sepse kanë frikë nga një luftë e gjithanshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa të tjerëve u janë anuluar fluturimet njëri pas tjetrit. Në sallën e nisjes, familje të tëra, me fëmijët në krahët e prindërve të tyre, shikojnë pirgjet e bagazheve dhe orarin, teksa shumica e fluturimeve janë të destinuara për në Stamboll, Aman dhe Kajro.

“Nuk doja të largohesha. Doja të kaloja gjithë verën në Liban dhe më pas të kthehesha në Francë për punë”, tha Joelle Sfeir, duke pritur në sallën e mbushur plot. Por “fluturimi im u anulua dhe më duhej të rezervoja një biletë tjetër për sot”, tha e reja libaneze.

Ashtu si shumë bashkatdhetarë të saj që punojnë apo studiojnë jashtë vendit, Sfeir përfitoi nga pushimet verore për të vizituar të afërmit dhe miqtë që kanë mbetur në vend. Por pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniya, në Teheran dhe sulmit ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë që vrau udhëheqësin ushtarak të Hezbollahut, Fouad Shukr, shumë linja ajrore, duke përfshirë Lufthansa dhe Air France, kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Bejruti.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!