Ish-kryeprokurori Adriatik Lllalla i dënuar me 2 vite burg është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar procedurat ligjore dhe e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Llallën duke qenë se ky i fundit nuk është gjendur në Shqipëri dhe ka informacione se ndodhet jashtë vendit.
Nga verifikimet e deri tanishme rezulton në sistemin TIMS se Ardiatik Llalla është larguar nga vendi ynë rreth një muaj më parë. Dokumentacioni i është dorëzuar zyrës së Interpol Tiranës për të nxjerrë emrin në sistem, dhe prej këtij momenti Llalla do të figurojë në sistemin e personave të kërkuar shqiptarë nga të gjitha agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Ditën që GJKKO e dënoi me 2 vite burg ish-kryeprokurorin, SPAK nxori urdhrin për arrestimin e tij dhe policia i shkoi në shtëpi për të njoftuar zyrtarisht familjarët, si dhe duke i dhënë disa ditë kohë Llallës që të paraqitej. Sakaq Llallës i është hequr edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.


