Adriano “Perandori”: Nga maja e futbollit botëror, në errësirën më të thellë të tij

schedule15:30 - 21 Prill, 2023

schedule 15:30 - 21 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Adriano, ose siç e njeh gjithë bota, “Perandori”, ishte padyshim një nga lojtarët më të fuqishëm e më të talentuar brazilian, i cili dominoi në Evropë në një moshë shumë të re. Adriano i kishte të gjitha, shpejtësi, forcë fizike, driblim, goditje potente dhe me këto karakteristika, ai u ngjit në majat e futbollit botëror.

Ishte sezoni 2002 kur ai u bë pjesë e Parmës, fazat e tij të hershme të karrierës impresionuese në Itali. Interi e shiti atë për shifrën e 14.5 milionë eurove te klubi i Parmës në një moshë shumë të re. Aty nisi gjithçka, aty nisi shpërthimi i tij dhe origjina e nofkës “Perandori”. Adriano luajti për dy sezone me Parmën, 45 ndeshje në total duke shënuar 26 gola dhe duke asistuar 5 herë. Interi reflektoi dhe e kërkoi përsëri kartonin e brazilianit, pasi në merkaton e janarit, ai u rikthye te zikaltërit për shifrën e 23.4 milionë eurove.

Nofka “Perandor” u gdhend në historinë e futbollit. Në 177 ndeshje me fanellën e Interit, Adriano shënoi 74 gola dhe asistoi 29 herë. Një sulmues i papërmbajtshëm, një e majtë që dridhëronte të gjithë portierët me të cilët ai ndeshej. Goditje në çdo pozicion i mundshëm i fushës dhe topi përfundonte në rrjetë. Me fanellën e Interit ai ishte i destinuar të bëhej një nga yjet e futbollit botëror.

Vitet kalonin dhe bashkë me to, performanca pozitive e Adrianos po zhdukej. Ai humbi babain, personi më i dashur për të dhe këtë fakt ai nuk e pranonte dot, duke rënë në depresion. “Perandori” filloi alkoolin, festat e shthurura nëpër diskot e Italisë. Interi më pas e largoi nga ekipi. Ai u transferua në formë huazimi në Brazil te Sao Paolo, më pas te Roma, Corinthians edhe në fund, më 29 janar të vitit 2016 te Miami në SHBA, ku më pas në 28 maj ai i dha fund karrierës futbollistike.

300 ndeshje në total, 137 gola dhe 41 asistime në të gjithë karrierën e tij me klubet. Me kombëtaren e Brazilit ishte gjithashtu “Perandor”. Me ekipin e U20 të kombëtares ai luajti 14 ndeshje dhe shënoi 12 gola, shifra të friksëhme. Ndërsa me ekipin e parë të Brazili, 48 ndeshje dhe 27 gola. 4 herë kampion Italie me Interin, 2 herë fitues i Kupës së Italisë dhe 3 herë fitues i Supër Kupës së Italisë me Interin dhe disa trofe të tjerë me ekipet braziliane. Fitues i Kupës së Amerikës me Brazilin dhe Kupës së Konfederatave.

Pas varjes së këpucëve në gozhdë, Adriano nuk bëri një jetesë ndoshta të përshtatshme për një sportist elitar. Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës në shtëpi në Barra da Tijuca, një rajon në perëndim të Rio de Zhaneiros. Ndonjëherë ai shkon edhe viziton miqtë e tij në Vila Cruzeiro, lagjja veriore e Rios ku ai u rrit.

Por cili ishte momenti kur gjërat ndryshuan për “Perandorin”?

Një ngjarje më shumë se çdo tjetër e shndërroi Adrianon nga trashëgimtari i Ronaldo “Fenomenit” në një guaskë të një njeriu që mezi gjuante topin pas ditëlindjes së tij të 30-të. Ishte vdekja e babait të tij. Babai i tij, Almiri, vuante nga shëndeti i keq e i rënduar. Nëntë ditë pas momentit të lavdisë së djalit të tij në Peru, ai vdiq nga një atak në zemër, në moshën 45-vjeçare. Ai e goditi Adrianon 22-vjeçar si një tren mallrash.

“Adriano kishte një baba që kujdesej shumë për të dhe e mbante në linjë. Më pas ndodhi diçka e paimagjinueshme, ai mori një telefonatë nga Brazili dhe mori lajmin se babai i tij kishte vdekur. E pashë duke qarë. Ai hodhi telefonin dhe filloi të bërtiste. Që nga ajo ditë, Moratti dhe unë vendosëm ta konsideronim atë si një vëlla dhe ta mbrojmë”, ishin fjalët e Javier Zanettit, kapitenit të Interit dhe miku më i mirë i Adrianos.

Megjithatë, pas finales më 25 korrik të vitit 2004 në Kupën e Amerikës përballë Argjentinës, të cilën Brazili i Adrianos e fitoi me penallti, gjithçka mori për poshtë. Menjëherë pas asaj finale, trajneri i Brazilit, Carlos Parreira, dukej i mahnitur nga performanca e Adrianos.

“Ai do të bëjë histori në futboll. Ai do të luajë në tre Kupat e Botës së ardhshme, me siguri dhe do i mahnitë të gjithë”, tha Parreira. Në vend të kësaj, karriera e Adrianos u shemb plotësisht. Ai filloi të shkonte në çdo klub nate të mundshme për të pirë dhe për të harruar dhimbjen e humbjes së babait të tij.

“Ai vazhdoi të luante futboll, të shënonte gola dhe të tregonte me gisht nga qielli, duke ia dedikuar golat babait të tij. Por pas asaj telefonate, asgjë nuk ishte e njëjtë”, tha Javier Zanetti. Shokët e tij te Interi gjithmonë mundoheshin t’i qëndronin pranë dhe ta ndihmonin të largohej nga depresioni, por ata nuk ia dolën dot. Zanetti ka theksuar gjithmonë që pengu i tij më i madh është që nuk arriti dot të shpëtonte Adrianon nga errësira e depresionit që e kaploi.

Sot, Adriano “Perandori” është përsëri një nga idhujt e shumë tifozëve të futbollit në mbarë botën. Është ai “Perandor” që  mbajti gjallë imazhin e Ronaldo “Fenomenit”, pasi ishte i vetmi lojtar që i afrohej atij në performancë. Adriano ishte ai lojtar që kundërshtari tmerrohej, një talent i jashtëzakonshëm dhe dashuria e tifozëve të Interit.

Sot, 17 shkurt 2023, “Perandori” feston ditëlindjen e tij të 41-të.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!