Administrimi i zgjedhjeve nga vullnetarë dhe jo nga partitë, deputetët shqiptarë sjellin shembullin e SHBA-ve

schedule18:23 - 9 Nëntor, 2022

schedule 18:23 - 9 Nëntor, 2022

Në një kohë kur PS kërkon administrimin e proceseve zgjedhore nga një administratë jo politike, Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, deputetja e PS, Ermonela Felaj, dhe deputeti i PR, Fatmir Mediu, ka sjellë shembullin e SHBA-ve ku po zhvillohet një garë e fortë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve midis republikanëve dhe demokratëve.

Në një postim në rrjete sociale, Gjiknuri thekson se në ndryshim të madh nga Shqipëria, në SHBA zyrtarët zgjedhor janë vullnetarë dhe jo të caktuar nga partitë ndërkohë që zgjedhjet zhvillohen në mënyrë elektronike.

“Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishim pjesë e ekipit të OSBE-së që ndoqi nga afër procesin zgjedhor në shtetin e Nevadas ku po zhvillohet një garë e fortë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve midis republikanëve dhe demokratëve.

Ndërsa procesi vazhdon, patëm rast të vëzhgojmë një numër qendrash votimi. Në ndryshim të madh nga Shqipëria, në SHBA zyrtarët zgjedhor janë vullnetarë dhe jo të caktuar nga partitë ndërkohë që zgjedhjet zhvillohen në mënyrë elektronike”, thekson Gjiknuri, i cili është dhe bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Këto votime priten me shumë interes pasi ndryshimi në Kongres nëse republikanët fitojnë mund të sjellë ndryshime të shumë politikave të administratës Biden.