Ademi: Lashë shkollën për futbollin, himni emocion unik. Idhulli? Dihet, Cana

schedule18:40 - 24 Shtator, 2020

schedule 18:40 - 24 Shtator, 2020

Albion Ademi po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës. Sulmuesi i Shqipërisë U21 (tre ndeshje me kuqezinjtë e vegjël), pjesë e IFK Mariehamn në elitën e futbollit finlandez, ka shënuar 12 gola në 16 ndeshje në kampionat.

21-vjeçari ka lindur në Finlandë, është aktivizuar me përfaqësueset U-17, U-18 dhe U-19 të këtij shteti, ndërsa më pas ka zgjedhur të mbrojë ngjyrat kuqezi. Panucci e grumbulloi dy vite më parë me kombëtaren e madhe, por nuk ia doli të debutojë.

Në një intervistë për “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Ademi tregon për emocionet me kombëtaren kuqezi, momentet e tij më të mira si dhe sakrificën e madhe që ka bërë; lënien e shkollës.

FUTBOLLI – “Që kur isha i vogël, kam pasur një dëshirë të madhe të luaja futboll dhe as vetë nuk e kam besuar se do të arrija të bëhesha një ditë pjesë e futbollit profesionist. Mendoja se gjithnjë do të mbetej një dëshirë. Unë them se gjithkush që ka një top në shtëpi kur është i vogël dhe luan me të, ka si ëndërr që të jetë pjesë e fushave të lojës. Por duhet talent dhe shumë punë”.

FILLIMET – “Gjyshi im ka qenë një nga personat e parë që ka besuar tek unë. Më ka ndihmuar dhe më thonte gjithmonë se futbolli nuk është një sport i lehtë dhe nëse do e dua, nuk do lodhem asnjëherë. Atëherë më dukej e çuditshme, por është e vërtetë. Sot, teksa stërvitem apo zhvilloj ndeshje, më shumë ndjej kënaqësi sesa lodhje”.

 

Të dhënat e Albion Ademit…

SHQIPËRIA DHE MARIEHAMN – “Po kaloj një formë shumë të mirë aktualisht. Në fakt, kam punuar shumë në stërvitje dhe jam fokusuar maksimalisht në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Sigurisht, edhe jashtë fushës kam qenë shumë strikt me regjimin, përpiqem që të pushoj dhe të rikuperoj forcat për të qenë në formë sa më të mirë. Kemi një grup mjaft të mirë në klub dhe kemi harmoni mes njëri-tjetrit”.

Ndërsa, sa i përket Kombëtares mund të them se me trajnerin kemi një marrëdhënie fantastike. Arrin të na kuptojë dhe dëgjojë shumë mirë të gjithëve. Më vjen keq që nuk isha pjesë e ekipit të shpresave gjatë dy ndeshjeve kundër Austrisë dhe Andorrës, por jam i lumtur që ekipi mori 6 pikë të plota”.

FTESA E PARË KUQEZI – “Është emocion i veçantë dhe moment i bukur. Të këndosh himnin e kombëtares krah çunave dhe përpara mijëra tifozëve është diçka që nuk do e largoj dot lehtë nga kujtesa ime. Është nder dhe krenari të luash për vendin e shqiponjave”.

NDESHJET – “I rishikoj, edhe me grupin edhe vetëm, gjithmonë mendoj se si të arrij të luaj më mirë dhe të gjej rrugën e rrjetës për të shënuar. Dua të shënoj shumë gola përgjatë karrierës time”.

MOMENTI MË I LUMTUR – “Normale që thirrja nga trajneri për t’u bërë pjesë e ekipit kombëtar A ka qenë një nga momentet më të bukura, siç thashë edhe më sipër, por edhe ndeshja finale për kupën e Finlandës ka qenë një nga momentet më të bukura për mua deri tani”.

SAKRIFICA E MADHE – “Shkolla. Kam hequr dorë nga ajo dhe jam fokusuar tërësisht te futbolli, pasi e kam kuptuar veten se mund të bëj mirë dhe deri tani po bëj mirë”.

OBJEKTIVAT – “Synimi im është që sa më shpejt ta shikoj veten time në ndonjë nga ligat më të mira të Evropës. Gjithashtu, pres të grumbullohem edhe nga kombëtarja A”.

KËSHILLA MË E VYER – “Familja ime, duke qenë edhe mbështetësit e mi më të mëdhenj më thonë gjithnjë se nuk duhet të dorëzohem, por të luaj gjithnjë me të njëjtën dëshirë dhe të kem të njëjtin vullnet si ditën e parë kur kam zbritur në fushë”.

IDHULLI – “Edhe idhulli im në kombëtare, si idhulli i thuajse çdo shqiptari, është Lorik Cana”. /abcnews.al