Acerbi mbyll sezonin, “veterani” i mbrojtjes kthehet në fushë ndaj “Legjionarëve”

schedule22:16 - 26 Prill, 2024

schedule 22:16 - 26 Prill, 2024

Me sigurimin e yllit të dytë kampion në fanellë, “veterani” i mbrojtjes së “Zikaltërve’ të Inter, Francesco Acerbi e ka mbyllur para kohe sezonin futbollistik, me 36-vjeçarin e prapavijës, që ka shfaqur probleme muskulore dhe është lënë pushim nga tekniku Simone Inzaghi, teksa në sfidën e së dielës ndaj “Demave” të Torino si zgjidhje e parë pritet të jetë, Stephan De Vrij.

Së fundmi, për gjendjen e tij shëndetësore ka folur edhe vetë Francesco Acerbi, i cili ndër të tjera ka zbuluar se ka sakrifikuar duke luajtur me dhimbje, teksa tashmë ka si prioritet kryesor rikuperimin për Kampionatin Evropian, ku janë pozicionuar në grupin B, së bashku me “La Furia Roja”, të Spanjës, Kroacisë dhe Shqipërinë tonë.

“Prioriteti im është gjithmonë të jap maksimumin për këtë fanellë, ndaj muajt e fundit kam luajtur duke shtrënguar dhëmbët, pavarësisht pubalgjisë. Tani me dy yjet në fanellë, kam kohë të rikuperoj dhe të jem 100% në formë për impenjimet me Italinë në Kampionatin Evropian”,- u shpreh mbrojtësi italian.

Ndërkaq, sipas raportimeve më të fundit, të mediave italiane, “veterani” i prapavijës së Inter  pritet të qëndrojë pushim për dy tre javë dhe më pas të rinisë stërvitjen, por jo më për të luajtur, me “shtatlartin” italian, që pritet të kthehet në fushë vetëm për Kombëtaren e Italisë, përfshi këtu miqësoret para Evropianit dhe sfidën ndaj Shqipërisë në “Signal Iduna Park”, më 15 qershor. /i.m /abcnews.al