Milan ka disa vite që ka probleme si brenda fushës dhe jashtë saj. Mungesa e lojtarëve me eksperience, ndërrimi i shpeshtë i trajnereve pa përvojë apo dhe shitja e klubit nga ana e kinezëve janë disa nga problemet që kuqezinjtë kanë pasur vitet e fundit. Tashmë duket se ka një tjetër problem në klub, ku kësaj here janë drejtuesit ato që kanë mosmarrëveshje mes tyre.
Drejtori sportiv i Milanit, Zvonimir Boban, akuzon drejtuesin e lartë të kuqezinjve, Ivan Gazidis. Sipas kroatit, CEO i klubit italian ka punuar pas shpinës së drejtuesve të tjerë. Ai gjithashtu deklaron se kjo është mungesë respekti dhe nuk është në stilin e Milanit.
“Deri disa ditë më parë unë besoja se brenda Milanit nuk kishte dy shpirtra. Kjo për shkak se këtu jemi për një qëllim të rikthejmë klubin aty e ka vendin. Fakti që ne nuk po komunikojmë me të nuk i bën mirë askujt. Dhe kjo krizë mes nesh vjen në një moment kur ekipi po rritet gradualisht dhe të gjithë po e shikojnë punën e madhe që po bën Pioli”, deklaron Boban.
“Për të mirën e klubit ne duhet të kemi një takim me pronarët tanë. Ata duhet të jenë të qartë për sa i përket objektivave dhe buxhetit. Na duhet më shumë bashkëpunim me Gazidis, në mënyrë që të jemi më të bashkuar. Për mendimin tim pronarët duhet t’i besojnë personave, të cilët mund të përfaqësojnë historinë dhe vlerat e një klubi të madh siç është Milani”, mbyll drejtori sportiv. /abcnews.al