Gjykata e Pogradecit ka vendosur masën e sigurisë 40 ditë burg për Blerim Bizgjonin, i cili akuzohet se abuzoi seksualisht me të miturën 13-vjeçe në fshatin Vërdovë, të cilën prindërit në pamundësi ekomomike e lanë në mirëbesim në banesën e tij.
Gjykata nuk vendosi masën burg pa afat për të akuzuarin, por 40 ditë me argumentin se është koha e mjaftueshme për akt ekspertimin mjeko-ligjor të vajzës. Avokati i tij, Polikron Çela në përfundim të seancës u shpreh për mediat se Blerim Bizgjoni e mohoi akuzën.
“Është cështje mjaft sensitive. Ai nuk e pranoi akuzën” tha ai për mediat.
46-vjeçari Blerim Bizgjoni nga Pogradeci sot doli para gjykatës me kokën ulur. Nga kafazi i gjykatës ai mohoi akuzën e abuzimit seksual me të miturën. Ishte 13-vjeçarja e cila e denoncoi vetë në polici fqinjin me akuzën e përdhunimit prej muajit korrik.
Vajza qëndronte në shtëpinë e abuzuesit për shkak se ishte shoqe me vajzën e këtij të fundit, por edhe prej pamundësisë ekonomike të familjes së saj. Bizgjoni u kishte thënë prindërve të vajzës se do të kujdesej për të miturën si të ishte vajza e tij, ndërkohë që nga ana tjetër e përdhunoi. db/Abcnews.al