37 persona janë arrestuar nga policia greke në një operacion mbarëkombëtar që synonte goditjen e një rrjeti kriminal të akuzuar për mashtrim me subvencionet bujqësore të dhëna nga Bashkimi Europian.
Sipas autoriteteve policore të shtetit fqinjë, operacioni u krye nga Divizioni i Krimit të Organizuar në disa zona të Selanikut, Pella, Janinë, Atikë dhe Kretë.
Të akuzuarit për abuzim me subvencionet dyshohet se përfitonin para nga fondet e Brukselit për bujqësinë, përmes deklaratave të rreme të paraqitura pranë agjencisë publike përgjegjëse për menaxhimin dhe shpërndarjen e ndihmës financuare.
Konkretisht, muajt e fundit, të akuzuarit deklaronin se kishin marrë me qira dhe kultivuar toka bujqësore ne zonat e prekura nga përmbytjet, duke mbledhur mijëra euro kompensime, por ne fakt në terren ata nuk kishin bërë asnjë ndërhyrje.
Përmes kësaj skeme të akuzuarit dyshohet se kanë përfituar shifra të mëdha, mes 5 dhe 10 milionë eurove nga më shumë se 20 milionë euro në totalin e subvencioneve.
Shumica e të dyshuarve nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë, ndërsa grupi kryesor besohet të përbëhet nga 10 individë.
Operacioni u krye në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, e cila filloi hetimin e çështjes rreth 18 muaj më parë.

