Abu Dhabi e kërkonte për mashtrim financiar, arrestohet në Rinas 42-vjeçari sirian

schedule09:53 - 23 Korrik, 2022

schedule 09:53 - 23 Korrik, 2022

Një 42-vjeçar sirian i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Abu Dabi është arrestuar në Rinas.

Në pranga ka rënë edhe një shtetase siriane e cila tentoi të dilte nga Shqipëria me dokumente të falsifikuara.

“Gjatë kontrollit të detajuar të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Interpol Tiranën kanë ndaluar shtetasin sirian W. A., 42 vjeç”, njofton policia.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Abu Dhabi, për veprën penale “Mashtrime financiare”, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve që dalin nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë kanë krijuar dyshime për një shtetase të huaj që kishte paraqitur pasaportë estoneze.

Pas kontrollit në laboratorin e Policisë Kufitare ka rezultuar se pasaporta që kishte paraqitur shtetasja H. C. kishte të dhënat e një shtetaseje tjetër dhe kishte një vulë të kontrollit kufitar, të dyshuar të falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetases H. C., me shtetësi siriane, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!