Arsenal zhgënjeu mbrëmjen e djeshme tifozët në ‘Emirates Stadium’, duke u mposhtur 1-2 nga Brighton. ‘Topçinjtë’ nuk e njohin shijen e fitores prej dy muajsh dhe rënia e lirë në renditje vazhdon. Sikur të mos mjaftonin sherri i Xhakës me tifozët, shkarkimi i Emery apo dhe loja e dobët nga ekipi, dje në fundin e takimit ndodhi një episod, që stafit dhe tifozëve nuk do ti pëlqejë.
Kapiteni i londinezëve, Pierre-Emerick Aubameyang u zhduk nga fusha e lojës për disa minuta. Ai shkoi drejt tunelit që të dërgon drejt dhomave të zhveshjeve pa pyetur njeri. Trajneri provizor i Arsenalit, Freddie Ljunberg, konfirmoi pas ndeshjes se sulmuesi nga Gaboni shkoi në tualet në minutat shtesë.
”Të them të vërtetën unë nuk e vura re që ai nuk ishte në fushë. E pashë vetëm kur po kërkonte të futej në fushë. Kur të duhet të shkosh, duhet të shkosh,” deklaron trajneri për ‘The Sun’. Por, tifozët nuk kanë reaguar edhe shumë mirë në rrjetet sociale për këtë episod. Ata shprehen se kapiteni i ekipit, nuk mund të largohet në minutat shtesë kur je duke u mundur dhe ta braktisë ekipin me 10 lojtarë. /abcnews.al