Abrashi në versionin ultras/ Mesfushori i Kombëtares e ndjek ndeshjen te tifozët

schedule12:35 - 2 Nëntor, 2024

schedule 12:35 - 2 Nëntor, 2024

Amir Abrashi prej vitesh nuk është më në një nga ligat kryesore të botës, siç ishte Bundesliga gjermane, por mesfushori I kombëtares shqiptare sërish di të jetë lajm i parë.

Ylli 34-vjeçar që nga 2020 është kthyer në vendin ku ka lindur, në Zvicër, dhe në ndeshjen e fundit të Superligës vendase spikati ndonëse nuk ishte fare në fushë.

I pezulluar për shkak kartonësh ai vendosi të mos e ndiqte ndeshjen e Grasshopersit në tribunën kryesore, por tek ultrasit.

Ishte një spektakël i vërtetë, pasi Abrashi u kthye në një kapo tifozësh dhe brohoriti me të madhe, ndonëse skuadra e tij nuk arriti të fitonte.

Ndeshja përfundoi 1-1 me golat e shënuar nga Nikolas Muçi për vendasit në minutën e 30-të dhe Injasio Aliseda për miqtë shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.

Grasshopers rrezikon të bjerë nga kategoria këtë vit, pasi ndodhet në vendin e parafundit të Superligës së Zvicrës me vetëm 9 pikë pas 12 javëve.

Më pas, kapiteni foli për të përditshmen kryesore sportive zvicerane, “Blik”, dhe theksoi se iu duk shumë bukur në tribunën e tifozëve, sepse aty nuk ndjeje në asnjë moment të ftohtin.

“Njëri prej nesh”, shkruajti në mënyrë kuptimplotë, klubi I Grasshopersit, në foton e botuar në faqen zyrtare në rrjetet sociale si Tuiter, FB apo Instagram.

Blue News i mori një intervistë që nga stadiumi.

“Ishte shumë bukur. Një kënaqësi e madhe që pati kaq shumë tifozë këtu. Ekipi u përpoq të fitonte, por do t’ia dalë herën tjetër. Ishte një ndjenjë shumë e bukur që u ndodha mes tifozëve. U bashkova me ta, këndova bashkë me ta këngët e tifozëve. Diçka e mrekullueshme”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!