Aboneja për pensionistët, Veliaj: Çdo muaj është falas, ashtu si për studentët

schedule15:32 - 5 Janar, 2025

schedule 15:32 - 5 Janar, 2025

Aboneja për pensionistët, Veliaj: “Çdo muaj është falas, ashtu si për studentët; U kursejmë 192 mijë lekë në vit gjysheve dhe gjyshërve”

Nga 1 janari 2025, të gjithë pensionistët e Tiranës janë pajisur me abone të përgjithshme falas dhe po udhëtojnë pa pagesë në linjat urbane të kryeqytetit. Ata pensionistë, të cilët nuk janë pajisur ende me abone falas, mjafton të paraqiten pranë njësisë së tyre administrative për t’u regjistruar [ky proces bëhet vetëm një herë] dhe pastaj, çdo muaj mund të tërheqin abonenë në njërën prej pesë pikave të shpërndarjes të caktuara nga Bashkia e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi sot me njërën prej linjave të transportit urban dhe bisedoi me udhëtarë pensionistë, të cilëve u shpjegoi edhe procedurat që duhet të ndjekin për t’u pajisur me abone. “Më vjen mirë që, nga ky vit, Bashkia e Tiranës subvencionon edhe abonenë e pensionistit, për gjyshet dhe gjyshërit tanë, njësoj siç bën prej më shumë se një viti për studentët. Ky subvencionim është 16 mijë lekë [të vjetra] në muaj ose 192 mijë lekë në vit. Për t’u pajisur me abone fillimisht duhet të regjistrohesh në njësinë administrative dhe pasi futesh në sistemin e rimbursimit, paraqitesh pranë kioskës më të afërt, me fotografi, për të marrë abonenë”, sqaroi Veliaj.

Duke i uruar gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës një vit sa më të mbarë, Veliaj apeloi që pensionistët s’ka nevojë të mbajnë radhë, pasi bashkia do të shpërndajë mjaftueshëm abone dhe kioskat do të vazhdojnë të jenë të hapura.

“Ka abone për të gjithë! Sa më shumë të tërhiqen, aq më shumë do bëjë rimbursim bashkia. Nuk ka nevojë as të presim në radhë, as të dalim herët në mëngjes. E di që gjithmonë gjërat e reja zgjojnë kërshëri dhe kemi merakun se mos mbarojnë, por është pa limit. Aboneja është një karton që mund ta shtypim për aq sa është nevoja, mjafton që të lidhet me një person fizik real, i cili është paraqitur dhe ka interes. Gëzuar të gjithëve, udhëtime të mbara te nipat e mbesat, dhe ju uroj shëndet e vetëm të mira!”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje pensionistëve, të cilët nuk e kanë tërhequr ende abonenë e tyre, të paraqiten në pikat e përcaktuara nga Bashkia e Tiranës, për ta marrë atë falas. “Ftoj edhe pensionist e tjerë, që ndoshta kanë qenë më pushime këtë fundvit, që të shkojnë te njësia adminsitrative, të regjistrojnë emrin dhe pasi futen në sistem, automatikisht u del emri në listë për të tërhequr abonetë”, përfundoi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!