Abissnet Superiore/ Bylis bën “poker” ndaj Teutës, Egnatia ndan pikët me Dinamon

schedule17:16 - 25 Tetor, 2024

schedule 17:16 - 25 Tetor, 2024

Ka startuar java e 10-të e kampionatit shqiptar të futbollit, Abissnet Superiore, teksa mesditën e kësaj të shtune janë zhvilluar edhe dy sfidat e para.

Kështu në stadiumin “Adush Muçaj”, “Ballshjotët” e Bylis kanë arritur fitoren e thellë 4-0 përballë Teutës së Edi Martinit, duke i dhënë këtyre të fundit një goditje të madhe, pas golave të Marin Abazajt, Erich Berko, Flamur Ruçit e Mario Gjatës.

Në krahun tjetër, kampionja në fuqi e Shqipërisë, Egnatia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 përballë djemve të Ilir Dajës, me golat që u shënuan nga Regi Lushkja, për “Rrogozhinasit” dhe Dejvi Bregu për “Nëndetësen Blu” të Dinamo City, me skuadrat që vijojnë të mbete në vendin e dytë dhe të tretë të kampionatit, me nga 16 pikë, sa Partizani kryesues.

Sa i përket sfidave të tjera të javës së 10-të të Superiores, ato do të zhvillohen të shtunën (nesër), ku në orën 17:00 do të luhen përballjet Tirana-Laçi dhe AF Elbasani-Skenderbeu, ndërsa në orën 19:30 do të luhet supersfida Vllaznia-Partizani. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!