Abdixhiku: S’kemi vërejtje për platformën e Osmanit, do të takohemi përsëri

schedule16:24 - 24 Mars, 2021

schedule 16:24 - 24 Mars, 2021

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me Vjosa Osmanin, e cila pretendon të marrë postin e presidentes.

Abdixhiku tha se takimi ka qenë pozitiv i frytshëm dhe se janë dakorduar që të takohen edhe një herë.

Më tej ai ka shtuar se për takimin dhe diskutimet që kanë pasur sot do të diskutojnë edhe në parti, dhe pasi të marrin qëndrimin e partisë dhe pas një takimi tjetër me Vjosa Osmanin do të kenë edhe qëndrimin përfundimtar, nëse do ta përkrahin atë si presidente.

“Në këtë takim kemi diskutuar çështjet me interes rreth krijimit të institucionit të presidentit.  Ka qenë takim i frytshëm dhe pozitiv në atmosferë të mirë”, ka thënë Abdixhiku.

“Kemi diskutuar platformën që pretendentja për presidente dëshiron ta ndërtojë.  Në këtë platformë kemi dhënë diskutimet tona. S’kemi vërejtje. Kemi diskutuar edhe pozicionin e saj karshi akterëve partiak, kemi avancuar në këtë aspekt. Do të takohemi edhe një here”, ka shtuar ai.

“Do t’iu kthehemi organeve të LDK-së për të diskutuar dhe për të pasur një qëndrim përfundimtar”, ka shtuar tutje.

“Kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm dhe për sqarime shtesë. Do të diskutojmë edhe brenda partisë. Në momentin që përfundojnë këto dy procese, do të kemi një qëndrim përfundimtar”, ka thënë Abdixhiku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!