Në vitin 1983, që mund të quhet edhe fillimi i perëndimit të epokës së tyre, komunistët shqiptarë do të lejonin të bëheshin publike disa nga sekretet e tyre më të mëdha.
Në gjyqin ndaj ish-ministrave të fuqishëm të kohës, Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu, do të dilnin në dritë tortura çnjerëzore në ambientet e hetuesive, do të pranoheshin krime ndaj njerëzve të pafajshëm, prerje në besë të kosovarëve që mbështesnin kauzën e bashkimit kombëtar, shkatërrimin e jetës së individëve të veçantë, qoftë për një dëshirë, seksuale të punonjësve të Sigurimit të shtetit, e të tjera.
E gjithë hapja e barkut apo rrjedhja e qelbit do të shkaktohej për të siguruar prova akuzuese ndaj dy ish-ministrave Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu në një kohë që ata kishin zbatuar me përpikmëri atë që quhej vija e Partisë.
Thënë me fjalë të tjera, në mungesë të akuzave të personalizuara, kupola komuniste e Tiranës futi duart në thesin e mbyllur të krimeve me autorësi të përbashkët, për të nxjerrë prej andej ndonjë mëkat që, më shumë se të tjerët, bënte protagonistë dy ministrat.
Për habi, gjatë epokës së tyre, në të gjitha rastet, komunistët ishin detyruar të hapnin barkun e të villnin krimet e tyre në situata ose krejtësisht ekstreme, ose për shkak të një force më madhore.
Për herë të parë komunistët shqiptarë u detyruan të pranonin krimet e tyre në Plenumin e Beratit, të mbajtur në fund të Nëntorit 1944, në prag të marrjes së pushtetit.
Edhe pse e quajtur shpesh gjatë diktaturës si “Prapaskena e Beratit”, dhe e legjendar si një thikë në shpinë të Enver Hoxhës nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, e vërteta ishte krejt ndryshe.
Krerët e Partisë Komuniste Shqiptare u detyruan të thoshin të vërtetën për krimet dhe torturat ndaj kundërshtarëve politikë, popullsisë civile apo qoftë edhe bashkëpunëtorëve të tyre, të detyruar nga prezenca dhe pushteti i Velimir Stoiniçit – përfaqësuesit që lideri jugosllav Josip Tito kishte dërguar në këtë plenum.
Sa duket e gjithë llogaria e jugosllavëve ishte që përmes pranimit të krimeve dhe të terrorit, krerëve komunistë shqiptarë tu minimizohej merita e fitimit të luftës dhe njëkohësisht tu ngulitej fort në mendje se rruga drejt pushtetit kalonte vetëm nga Beogradi.
Krimet e komunistëve gjatë periudhës së luftës së quajtur Antifashiste i ka dokumentuar më mirë së kushdo tjetër Xhelal Starave’cka, një bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, i cili largua pikërisht për shkak të terrorit.
Përshkrimet e Staraveckës për krimet gjenden në përmbajtjen e disa trakteve kundër komunizmit dhe sidomos kundër politikës kontrolluese të Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit – dy misionarëve të Titos pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së quajtur Nacional-Çlirimtare.
Në Berat vramë e premë pa hak, për tu marrë paratë njerëzve, Beratin e bëmë shtetrrethim që nuk e bëri as fashizmi; filluam e kontrolluam brekët e grave nëpër shtëpija. Duke i rrethuar shtëpitë e Beratit me mitraloza, duallëm e bëmë çarmatimin e nahijes. Në katundin Perisnakë zumë gratë nga sisët e nga shalët e ku e di unë sa të tjera”.
Në traktet e tij, devijimin e komunistëve te dhuna dhe terrori ndaj popullsisë, më së shumti, Xhelal Staravecka ja dedikon linjës vëllavrasëse që diktonin sllavët Mugosha e Popoviç, duke shpjeguar se ky ka qenë shkaku i vetëm që ai u largua nga komunistët
Urrejtjen e thellë ndaj jugosllavëve, sidomos ndaj Dushan Mugoshës, Staravecka e shpërfaq pothuaj në të gjitha traktet e tij.
“Kam qenë vetë në Kosovë, di gjithë masakrat, gjithë poshtërsitë dhe ndyrësitë që u punoheshin popullit kosovar, njoh Druzha Miladin, njoh Dushan Gogoshanin – malazez, banues në një nga katundet e Pejës, formonjës të Partisë Komuniste, sot nënkomisar politik i Brigadës së Parë me pseudonimin SAL. Një fytyrë e shëmtuar, çalon si një jezit se ka një këmbë të shkurtër, mustaqet e zeza dhe të rrëzuara poshtë, vetullat e vrejtura, sytë të pangopur me gjak”.
Ngjarjet që Staravecka përshkruan në traktet e tij janë të mbushura me krime makabre ndaj njerëzve të pafajshëm. Sipas tij, njeriu përgjegjës që mbante ndezur zjarrin e terrorit, që urdhëronte masakrat dhe që i shijonte ato, ishte malazezi Dushan Mugosha.
“Marrim një djalë të gjatë, i shëndoshë, drejt 30 vjeçëve, ishte nga Devolli, emrin unë nuk ja di, por edhe Dushani vetë, që e torturoi gjer në vdekje, nuk ja dinte.
Këtë e kishin kapur jashtë Tiranës, që kishte dalë për shëtitje, si të dyshimtë e kishin arrestuar dhe s’andejmi e shoqëronin në Brigadën e Parë. Neve Partrizanë zebanitë e xhenetit, si pas urdhërit të jezitit çalo – Dushanit, e shpumë në prrua. Atje, mbasi e çveshëm, e lamë vetëm me të mbathura, se kishim nevojë për rrobat e tija që të vishnim ndonjë djalë të jezuitit”.
“Partizanët sipas urdhrit të Dushanit u armatosën menjëherë me nga një dru të shtrembët prej vërrie, më të trashë se qafa e dorës. Filloi tortura, të 10 kopaçet uleshin e ngriheshin me një ritëm të çrregullt mbi trupin e viktimës së mjerë, pa marrë parasysh se ku binin.”
“Pas një kohe të disa minutave, Dushani jep urdhër të ndalohen goditjet. Kujtova se do të bënte një pyetje, që natyrisht me anën e torturës të nxirrte diçka: ç’kërkoni nga unë tu them?. “Kurrgjë – përgjigjet Dushani, tashti do t’ja bëj t’ëmën vet!
Dushani merr një kpaçe në dorë dhe mbasi e ka rregulluar viktimën që ishte shtrirë në tokë, mbajtur prej partizanëve, dhe mbasi ja vë këmbën e djathtë në një boshllëk, i bije me atë kopaçen në qafën e këmbës dhe ja thyen. Çfarë torture e çfarë e bërtitme me të ngjeth mishtë. Dushani këmbën e thyer ja rregullon prap në atë mënyrë e me një të goditur tjetër, nja 20 centimëtër më lart, në kërci, ja thyen prapë. Nuk mjafton, i heq edhe brekët, me një spango të shëndoshë e lidh për organesh gjenitale dhe me një purtekë të shëndoshë fillon e godit aq sa ato bëhen si ftonj të mëdhenj.
Viktimës shpirti nuk i del, atëherë merr një thikë,dhe duke ja çarë kërcin e mëngjër fillon me majën e thikës ta krruajë kockën lartë e poshtë me një ritëm të rregullt derisa maja e thikës del në anën e poshtme”.
“Viktima akoma qendron e gjallë dhe e fortë. Dushani jep urdhër ti sjellin një litarte një copë dru të shkurtër e të trashë sa llëra. Litarin ja vë në kokë duke kaluar përmes ballit, mbi veshë e prapa kokës, rreth e përqark, pastaj kombinon drutë me litar dhe këtë e bije rrotull. Druri vinte rrotull, litari shtrëngohesh, misht dhe lëkura ju pre. Kocka po i ndrydhesh. Qepallat e syve të viktimës hapeshin me gishta dhe cingari i ndezur vihesh në dritën e syve, në thonjtë e gishtave të dorës tija hynin gjylpëratdhe dilnin nga rrëza e gishtit…”
I pyetur nga Xhelal Staravecka, se çfarë krimesh kishte bërë njeriu që sapo vranë, malazezi Dushan Mugosha përgjigjet se “ai nuk kishte bërë asgjë, porse këtyre Devollinjvet duhet tua bësh të gjithëve kështu, se qenë me neve, dhe u kthyen me Ballin”.
Kjo histori dhe shumë të tjera, të renditura kronologjikisht, janë në qendër të dokumentarit premierë që emisioni Abc/Story transmetoi kete të dielë në orën 20:00 në tv ABC.