Pamjet ekskluzive të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut, që emisioni Abc/Story vijon të publikojë, përmbajnë në vetvete edhe një tjetër informacion: në gjyq, për të përbaltur dhe akuzuar të pandehurit, janë përdorur një numër i pafund dëshmitarësh – 260 të tillë – që të gjithë të përzgjedhur dhe instruktuar nga Sigurimi i Shtetit.
E gjitha kjo po ndodhte sepse hetimi dhe gjykimi, në këtë rast, po haste në pengesa të mëdha. Përballë drejtësisë së komanduar të kohës së komunizmit, këtë radhë ishin vendosur dy mjeshtrat që kishin drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, për rreth 3 dekada.
Pra procesi kishte përballë ustallarët, apo profesorët e Sigurimit të Shtetit dhe kundër tyre nuk mund të shkoje me metodat që ata vetë kishin përdorur e perfeksionuar.
Të gjendur përpara këtyre vështirësive, njerëzit besnikë të Enver Hoxhës, organizojnë gjithë strukturat e partisë dhe të shtetit që të grumbullojnë dhe vënë në shërbim të hetimit çdo lloj dëshmie apo prove, e cila mund të kishte sadopak vlerë në përbaltjen e tyre, apo ndërtimin e akuzave më të rëndësishme.
Ishin kryesisht njerëz të cilët Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu i kishin goditur, duke u dëmtuar karrierën, njerëz që ata kishin marrë nëpër këmbë për shkak të pushtetit, por kishte edhe palaço, nga ata që shfrytëzonin të tilla raste për të ngjitur shkallët në karrierë.
Halit Kaçanolli, një oficer i Sigurimit të Shtetit, që kishte bashkëpunuar me Kadri Hazbiun e akuzon atë se kishte marrë në radhët e policisë politike elementë kundërshtarë të regjimit, të cilët kishin sabotuar punën e tyre në Kosovë. Po kështu, Kaçanolli akuzon Kadri Hazbiun dhe Feçorr Shehun se ata kishin shitur te jugosllavët bazat sekrete të krijuara në Kosovë, se për shkak të tradhtisë së tyre, dhjetëra patriotë kosovarë ishin degdisur burgjeve serbe, e të tjera të ngjashme.
E gjitha kjo është një histori e errët, ku për herë të parë del në dritë fakti se edhe kasta komuniste e Tiranës, pas prishjes me jugosllavët, në vitin 1948, dërgonte rregullisht në Kosovë e gjetkë, grupe të armatosura, me qëllim për të mbledhur informacione dhe organizuar kundërshtarë të regjimit të Josip Titos.
Në video është prerë pjesa ku shqiptari-kosovar akuzon shqiptarët e Shqipërisë se ata po lidhen sërish me jugosllavët dhe sërish po i shesin kosovarët, të cilët po përfundojnë burgjeve.
Këto akuza, që fatmirësisht janë ruajtur në skriptin e procesit gjyqësor, duhet të kenë marrë shkas nga ngjarje të ndodhura në vitet 1954-1955, pas vdekjes së Stalinit dhe afrimit të liderit të ri sovjetik, Nikita Hrushov, me jugosllavët. Një klimë që duhet të ketë nisur të reflektohej edhe mes kastës komuniste të Tiranës.
Por ka edhe çudira. Në proces janë paraqitur edhe dëshmitarë që deklaronin akuza qesharake. Kjo duket në rrëfimin e një të dënuari për pakujdesi ndaj zjarreve, të quajtur Myftar Memija. Sipas dëshmisë së tij në gjyq, gjatë kohës që kishte qenë në burg, kishte siguruar, nga një plak i burgosur, por që ishte i ditur, të dhëna për emra tradhtarësh në majë të piramidës së pushtetit.
Pra, në gjyq, janë paraqitur, si prova kundër Kadri Hazbiut dhe të tjerëve, edhe thashethemet e pleqve të dënuar në burgjet e kohës. Për habi, këto dëshmi, jo vetëm që konsiderohen nga trupi gjykues, por edhe nga vetë të pandehurit.
Interesant është edhe një tjetër moment në gjyq, kur Kadri Hazbiu, tepër i acaruar, i kërkon trupit gjykues që dëshmitarët të mos lejohen të ofendojnë. Hazbiu argumenton, dhe kjo ndodh mbase për herë të parë në historikun e proceseve gjyqësore shqiptare, që të mos paragjykohet fajësia e tij në një kohë kur gjykata ende nuk është shprehur. Betejat e tij me Kryeprokurorin Rrapi Mino dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, vënë përballë kohës kur ka ndodhur, janë mbresëlënëse.
Një nga dëshmitarët më interesantë do të ishte Dhora Leka, ish-sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e arrestuar në vitin 1956 si simpatizuese e Bashkimit Sovjetik dhe e dënuar me 25 vite burg.
Gjatë dëshmisë, ajo rrëfen se si një agjent jugosllav, i quajtur Svetozar Koçiç, i kishte folur me tone pozitive për Kadri Hazbiun. Po kështu, ajo dëshmon se, pas arrestimit të saj, Kadri Hazbiu dhe të tjerë, e kishin kërcënuar të qepte gojën sa u përket këtyre informacioneve.
Në fund të këtij gjykimi, ata që Enver Hoxha kishte në llogari – Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu – u dënuan me vdekje.
Me vdekje u dënua edhe Llambi Peçini, sa duket për shkakun se guxoi të demaskonte në Gjykatë dhunën e ushtruar në Hetuesi duke ndryshuar edhe të gjitha dëshmitë e nënshkruara me kërbaç te koka.
Mihallaq Ziçishti, i cili bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit, u dënua me 25 vite heqje lirie, ndërsa gjithë të tjerët, edhe këta bashkëpunues, u dënuan secili me 10 vite burg.
Çështja në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut do të konsiderohej si procesi më i madh dhe më i zhurmshëm gjyqësor i kohës së komunizmit.
Për fat të mirë ai do të ishte edhe i fundmi i kësaj epoke.
Kjo është një përmbledhje e materialit të përfshirë në dokumentarin e radhës, të ciklit Abc/Story, të gazetarit Ferdinand Dervishi u transmetua premierë të dielën, në orën 19:45, në tv ABC./ Abcnews.al