Gjergj Kastriot Skënderbeu konceptohet nga shqiptarët si babai i kombit dhe atdheut të tyre.
Historia e jetës së tij, përballja fituese 25 vjeçare me superfuqinë ushtarake e ekonomike të kohës – Perandorinë Osmane – personaliteti, bëmat dhe ngjarjet, vlerësimet dhe miti i krijuar, ndikuan që, qysh nga kjo kohë, shqiptarët të formonin atë që quhet “vetëdije kombëtare”.
Aq vigane ishte lufta e tij për liri, saqë shtetet Europiane dhe jo vetëm, për shekuj me radhë do të gjenin te figura e këtij shqiptari, jo vetëm frymëzimin për tu bërë ballë armiqve, por edhe shembullin e një lideri të drejtë, të dashur nga populli dhe të pakorruptueshëm.
Porse me kalimin e kohës, në faqet e vlerësimit të figurës së Skënderbeut do të kishte edhe pjesë të errëta.
Historianë të veçuar, ndonjëherë të vlerësuar ndërkombëtarisht, për arsye të ndryshme, do mundoheshin ta zvogëlonin.
Më i pari dhe më i njohuri ndër ta do të ishte Eduard Gibon, një historian britanik i shekullit të 18. Në veprën e tij “Historia e tkurrjes dhe rënies së perandorisë Romake”, mes pak lëvdatave, ai do të vlerësonte si të paarsyeshme luftën e Skënderbeut kundër një superfuqie botërore.
“Shkatërrimi i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qëndresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm”
Edhe studiues e historianë të tjerë, në kohë të ndryshme, do të tentonin të shtrembëronin, sipas orientimit që kishin, sidomos ato pjesë të historisë së Skënderbeut që ende nuk ishin qartësuar apo studiuar deri në shterim.
Në shënjestër ishte sidomos zvogëlimi i idesë se Skënderbeu arriti të ndërtonte një shtet të Arbrit, se territoret që ai zotëronte ishin të papërfillshme e të tjera.
Ndërsa si një provë të plotë të pretendimit të tyre, ata vlerësonin traktatin e Gaetës, të marsit 1451, sipas të cilit Skënderbeu do të bëhej vasal i Mbretit të Napolit.
Aq të keqpërdorura dhe të përsëritura në kohë kanë qenë këto opinione, saqë historianët shqiptarë e kanë pasur sfidë që të argumentonin të kundërtën.
Studiuesi i parë shqiptar që ka mbrojtur me argumente shkencore të vërtetën e shtetit të Skënderbeut do të ishte, në vitin 1981, profesor Aleks Luarasi.
Me anë të një punimi të mirëfilltë shkencor ai do të rivendoste në vendin e duhur vlerat e Gjergj Kastriot Skënderbeut sa i përket formimit dhe drejtimit të shtetit të shqiptarëve.
Por si është e vërteta?
Çfarë thotë historiografia moderne për epokën e Gjergj Kastriot Skënderbeut?
Përse luftonte, dhe a mundi ai të ndërtonte dhe vinte në funksion një shtet shqiptarësh?
Historianët kanë mendim unanim në këtë pikë. Sipas tyre shtetin e Skënderbeut e themeluan vendimet e Besëlidhjes së Lezhës dhe organizimi i këtij shteti nuk kishte ndonjë ndryshim të dukshëm nga organizmi i shteteve të tjera të kohës së Mesjetës. Për më tepër ai nuk ishte shteti i parë shqiptar. Përpara shtetit të Skënderbeut kishte ekzistuar, nisur nga viti 1190 edhe Principata e Arbrit, që drejtohej nga princi Dhimitër dhe që njihej edhe nga Papa i Romës, dhe më vonë, edhe shteti i Balshajve, të cilët qysh nga viti 1362 kishin sunduar Principatën e Shkodrës si dhe ai i Topiajve, që, filluar nga viti 1368, kishin sunduar Durrësin.
Pas betejave të para të fituara ndaj osmanëve, sidomos pas impaktit që këto fitore patën në Europë, Skënderbeu e kuptoi fort mirë pozicionin jo vetëm gjeografik, por edhe historik të shtetit të tij. Roli i tij në bllokimin e invazionit osman e kishte faktorizuar së tepërmi duke i hapur dyert e gjithë shteteve të Europës.
Veç ushtrisë dhe informacionit, Skënderbeut ju desh të investohej edhe në diplomaci. Lidhjet me Papën e Romës, mbretërinë e Napolit, Venedikun etj. realizoheshin nga disa klerikë shqiptarë, të cilët sa duket Skënderbeu i besonte deri në fund. Por edhe vetë Skënderbeu do të udhëtonte disa herë drejt Italisë me qëllim që paktet e marrëveshjet të ishin më të shpejta dhe më efektive.
Një nga faktet historike me të cilën historianët dashakeqës apo sipërfaqësorë kanë abuzuar për të ulur rolin e Skënderbeut dhe shtetit të tij, është traktati i vasalitetit që ai nënshkroi me Mbretin Alfons të Napolit, më 26 mars 1451. Përkundër këtyre pretendimeve, studiuesja Ilirjana Nano, argumenton se ky traktat mbeti vetëm në letër, pasi, Alfonsi i Napolit, nuk plotësoi kushtet e marrëveshjes. Ai jo vetëm që nuk mundi ti jepte ndonjë ndihmë të qenësishme ushtarake Skënderbeut, por ishte tepër larg çlirimit dhe sigurimit përfundimtar të shtetit të Arbrit nga osmanët.
Është vërtetuar se shteti i Skënderbeut financohej me të holla nga Papa i Romës, Venediku dhe Mbretëria e Napolit apo edhe ndonjë shtet tjetër. Por hulumtimet shkencore vërtetojnë se territoret e këtij shteti, bujqësia, blegtoria dhe industria, realizonin jo pak të ardhura. Lugina e Matit, që vendosej në qendër të zotërimit të Kastriotit, vlerësohej e begatë.
Me kalimin e viteve Gjergj Kastriot Skënderbeu kthehet në Zotin e Luftës në kufijtë lindorë të Europës. Me forca minimale ai kishte mundur, ose u kishte bërë ballë ushtrive më të shumta në numër, më të organizuara dhe të pajisura me armët më të mira të kohës.
Përballja e suksesshme e ushtrisë së tij me ushtrinë e superfuqisë botërore të kohës, rrëfente se meritat, që të gjitha ato, i shkonin një strategu të jashtëzakonshëm ushtarak.
Sipas profesor Irakli Koçollarit, rrjeti i gjerë dhe i besuar i spiunazhit e ka shpëtuar të paktën dy herë Gjergj Kastriotin nga atentate të mirë organizuara, ndërkohë që strategjia e zgjuar, e përdorur në mposhtjen e 50 mijë trupave osmane të drejtuara nga nipi i tij, Hamza Kastrioti, nuk gjen një tjetër të ngjashme në të gjithë historinë botërore të Mesjetës…
I fundmi në radhë, që do të përsëriste botërisht tezat e vjetra të britanikut Eduard Gibon, do të ishte historiani zviceran Oliver Shmidt, profesor i historisë në Universitetin e Vjenës.
Në një libër biografik për Skënderbeun botuar vitet e fundit, Oliver Shmidt, do e konceptonte jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar si “një luftë e vazhdueshme për mbijetesë e mbushur me disfata…”. Sipas tij, “pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitur do t’u ishin nënshtruar herët osmanëve. Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që i tërhoqi malësorët drejt rrënimit”. Po sipas Shmidt, për këtë shkak “jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit, u shkretua e u shpopullua nga osmanët” e te tjera të ngjashme.
Por sipas profesor Pëllumb Xhufit, edhe pse libri i Shmidt sjell të dhëna të reja dhe të vlefshme dokumentare, ajo pjesë që i përket qëndrimit të autorit, apo analizës së autorit për materialin e sjellë, përmban gabime thelbësore, për ndonjë nga të cilët Oliver Shmidt është detyruar të kërkojë ndjesë.
Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, ishte një luftëtar, strateg dhe burrë shteti i Mesjetës.
Aq e fuqishme dhe e lavdishme ishte lufta e tij, saqë edhe sot, pas më tepër se 5 shekujsh e gjysmë, shqiptarët dhe Shqipëria identifikohen nga europianët përmes kujtimit të tij.
Sigurisht që të sjellësh një gjykim të saktë për jetën dhe veprën e Skënderbeut, duhet bërë me patjetër një udhëtim në mendësinë e viteve kur ai jetonte, duhet bërë një balancë mes krenarisë që të jep liria në trojet e tua dhe mes njerëzve të tu, dhe, nga ana tjetër, jeta që siguron pas gjunjëzimit ndaj të huajit, që shfaqet më i fortë.
Pas kësaj balance, përgjigjja do të ishte e thjeshtë: Nëse bota ku jetojmë do të ishte ndërtuar dhe funksionuar sipas rregullave të gjunjëzimit të menjëhershëm ndaj më të fortit, ajo nuk do të ishte bota që kemi sot./abcnews.al