Abc News siguron dosjen, 17-vjeçarja e abuzuar në Sarandë: Kisha frikë të denoncoja, më bindi i dashuri

schedule20:21 - 24 Prill, 2020

schedule 20:21 - 24 Prill, 2020

Histori e vajzës 17-vjeçare nga Saranda e cila ka akuzuar për abuzim seksual tre persona ka tronditur opinionin publik. Abcnews.al ka siguruar një pjesë të dosjes së prokurorisë, ku argumentoi kërkesën për masën “arrest me burg” për Bajram Tushën.

Vajza është abuzuar që në moshën 9-vjeçare nga Bajram Tusha, ndërsa në dosjen e prokurorisë thuhet se me këtë të fundit familja e saj ka pasur edhe një marrëdhënie krushqie.

E mitura ka rrëfyer se Bajrami ka abuzuar me të në banesën e tij, në fshatin Metoq. Vajza ka pohuar se Tusha e ka detyruar vazhdimisht të kryejë marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tij dhe në të sajën, ndërsa kjo histori ka zgjatur deri kur ajo mbushi moshën 15-vjeçare.

Lexo edhe: “I dhanë pije dhe i vunë aparat në kokë”: Trondisin prindërit e 17 vjeçares së abuzuar në Sarandë

Në dosjen e prokurorisë thuhet: “Tusha e ka prekur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi ajo e ka kundërshtuar ai e ka goditur dhe me pëllëmbë. Por një ditë ai arriti përmes dhunës të abuzonte me të miturën në dhomën e gjumit të saj, gjatë kohës që jetonin me qira në shtëpinë e Bajram Tushës. Ai i tha mos i thuaj njeriu, se do ta vriste. Kjo ka ndodhur dhe herë të tjera, madje dhe kur u larguan nga shtëpia e tij, pasi familja e saj shkoi të banonte në banesën e vajzës së 72 vjeçarit”.

Më tej në kallëzimin e saj 17-vjeçarja ka dëshmuar se edhe dy persona të tjerë kanë abuzuar me të, të dy të njohur të familjes. Para një viti ka abuzuar me të një 63-vjeçar nga fshati Shelegar, ndërsa i dyti është 54 vjeçar që banon në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Në dosje citohet konkretisht: “Në përfundim vajza ka deklaruar se këtë ngjarje nuk do ta kishte deklaruar për shkak të frikës, por pasi ka njohur të dashurin e saj, ai e ka bindur që të denonconte këtë ngjarje”.

Lidhur me këtë ngjarje është pyetur edhe mësuesja e 17-vjeçares. Ajo ka thënë se Bajram Tusha vinte shpesh me të atin e vajzës dhe madje është zënë me një nxënës që ngacmoi 17-vjeçaren.

Mësuesja ka thënë po ashtu se 17-vjeçarja ka qenë objekt bullizimi në klasë, kryesisht nga djemtë që vinin nga fshati i saj, Gjashtë. Arsyen konkrete se përse ata e ngacmonin ajo nuk e ka ditur dhe kur kur ka pyetur 17-vjeçaren, nuk i ka dhënë shpjegime.

Po ashtu për ngjarjen janë pyetur edhe tre të akuzuarit. Në dosje thuhet se: “Bajram Tusha i ka pranuar pjesërisht të dhënat e pretenduara nga kallëzuesja”.

Ndërkohë për këtë ngjarje të rëndë janë pyetur edhe persona të tjerë, duke përfshirë edhe prindërit e vajzës. Po ashtu në dosjen e prokurorisë thuhet se është bërë edhe një përgjim ambiental, ku janë siguruar prova që çoi në arrestimin e 72-vjeçarit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!