Abazoviç në “ABC”: Shqiptarë, lëreni shamatën, bashkohemi ta bëjmë Ulqinin brand europian

schedule22:30 - 6 Korrik, 2021

schedule 22:30 - 6 Korrik, 2021

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç mbrëmjen e sotme në një intervistë në “ABC” për analistin Mentor Nazarko u bëri thirrje shqiptarëve në Ulqin që të lënë sherret dhe konfliktet mes tyre dhe në vend të përçarjes në disa parti dhe shamatës, të bashkohen për të zhvilluar komunën, që ka një potencial të jashtëzakonshëm, por është sipas tij më e varfra në vend.

E vetmja komunë në bregdet që është e varfër është Ulqini, potenciali  i saj është më i madhi dhe është e vetmja e varfër. Duhet me ndryshuar diçka, një frymë të re, nuk duhet me u marrë më me kritika, ne duhet me treguar se jemi gati me sjellë gjëra të mira për këtë komunë. Duhet me u munduar me u promovuar dhe nuk duhet të jemi të kënaqur me disa gjëra minimale. Nuk jam arrogant të them që duhet menduar në mënyrë megallomane.

Por ky qytet, kjo komunë (Ulqini) ka mundësi me u bërë brand i madh europian dhe ajo duhet me qenë ambicia jonë. Ne kemi plane shumë të mëdha. Kemi mundësi që të bëhemi një tren që ka me qenë një kompozim që gjithë zhvillimin e Malit të Zi ka me e drejtuar rreth BE-së. Kjo duhet të jetë ambicia jonë dhe jo të merremi me gjëra koti, parti, vende pune në komunë, me shamata mes nesh. Mendoj se ajo është një politikë që nuk ka sjellë kurrgjë” tha ai.

Duke folur për të metat e partive shqiptare, që sa më shumë shtohen aq më shumë shqiptarë largohen nga Mal i Zi, Dritan Abazoviç u shpreh se në gjithë këto vite nuk kanë sjellë asnjë të mirë për avancimin e statusit të tyre.

Ne nuk kemi sjellë kurrgjë të mirë për kombin në 30 vite, asnjë prej problemeve më të mëdha nuk kemi zgjidhur. Me ndryshimin e vullnetit politik kanë me ardhur gjërat e mira dhe mund me treguar një gjë e madhe është bërë, qeveria e re ka kthyer Gjirin e Valdanosit, ajo ka qenë kërkesa e shqiptarëve 30 vjeçare. Jam mirënjohës nëse vendosin me u inkuadruar në qeveri, por për ndryshe, ata politikan që kanë të bëjnë vetëm me interesa private të disa individëve, duhen me u harruar dhe zhdukur prej spektrit politik.

Nëse e keni partinë vetëm për me marrë rrogë apo me u inkuadruar në disa pozicione dhe populli jonë me u shpërngulur dhe emigruar në perëndim dhe me u zvogëluar numri dhe ju me tregu që keni politikë të mirëfilltë kombëtare, unë mendoj se është paradoks dhe është patriotizëm i rrejshëm. Ne na duhen gjërat konkrete, me pas punë dhe me qenë pjesëtarë i barabartë i shoqërisë në Mal të Zi” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!