Abazaj shpreson të kthehet te suksesi në Kroaci

schedule15:01 - 13 Shkurt, 2019

schedule 15:01 - 13 Shkurt, 2019

Transferimi në Kroaci ishte i vetmi i mundshëm për Kristal Abazajn. Sulmuesi i kombëtares synoi Italinë, Suedinë dhe Holandën, por pa sukses.

Ishte i tillë kur luante tek Luftëtari.

Kristal Abazaj shpreson të rikthehet te suksesi tashmë I harruar, ndërsa përfundoi transferimin e radhës në karrierë.

Sulmuesi 22-vjeçar u dha në formë huazimi nga Anderlehti tek Osijeku në Ligën e Parë të Kroacisë.

Për një vit, parashikohet që ai të provojë fatin dhe të ndihmojë skuadrën ku pak muaj më parë ishte edhe Eros Grezda, sot lojtar I rëndësishëm i kombëtares shqiptare, që luan tek Gllazgou Rejnxhëri në Skoci.

Abazaj kaloi një dhjetor dhe janar të vështirë, pasi menaxherët e tij, Elton Marini dhe Shkumbin Qormehmeti, nuk e patën aspak të lehtë për t’i gjetur një skuadër.

Pavarësisht cilësive, lojtari me origjinë nga Tropoja, luajti shumë pak me ekipin e parë të Anderlehtit, duke u kufizuar më shumë tek rezervat.

U bënë përpjekjet për t’i gjetur skuadër në Itali, Suedi apo Holandë, por ishte e pamundur.

Gjithsesi, besimi është se Kroacia do të jetë sukses, edhe sepse mënyra e lojës aty është më e përshtatshme për lojtarët shqiptarë, siç e ka treguar përvoja e Grezdës e Rrahmanit, apo më parë e Erion Bogdanit dhe Adrian Aliajt.

Abazaj pati kulmin tek Luftëtari, pasi Partizani nuk pranoi ta mbante lojtarin e dalë në akademinë e tij.

Po ashtu, provat tek Dinamo dhe Tirana nuk patën sukses, dhe ai kaloi tek Elbasani, për t’u bërë I njohur në Gjirokastër.

Skënderbeu bëri lëvizjen e duhur duke ia blerë kartonin e duke marrë pjesën më të madhe të parave të transferimit të Abazajt tek Anderlehti, që arriti në gati 700 000 euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!