A po shkon Evropa drejt një Bashkimi Fiskal?

schedule18:23 - 23 Tetor, 2020

schedule 18:23 - 23 Tetor, 2020

Nga Ferdinando Giugliano, Bloomberg

Në mesin e zymtësisë që ka shkaktuar vala e dytë e pandemisë, disa evropianë entuziastë po pyesin nëse kjo krizë mund të çojë përfundimisht në një “bashkim fiskal” të shteteve anëtare, diçka e ngjashme me SHBA-në.

Suksesi i bujshëm këtë javë i emetimit të bonos së parë sociale të Bashkimit Europian, për të ndihmuar në luftën ndaj recesionin të shkaktuar nga pandemia aktuale, tregon se investitorët janë të etur për të dhënë para hua për BE-në si një e tërë, më shumë se sa t`u japin vetëm vendeve të veçanta anëtare.

Njëherazi presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Kristin Lagard, po e inkurajon bllokun të marrë në konsideratë kthimin e instrumenteve të borxhit të përbashkët të krijuar gjatë pandemisë, në një mjet të përhershëm. Kjo do ta çonte BE-në një hap më pranë shndërrimin në një federatë shtetesh, teksa Komisioni Evropian – që po emeton bonot –do të kishte një buxhet më të madh për të rishpërndarë burimet e nevojshme financiare drejt vendeve në nevojë.

Evropa dhe eurozona në veçanti, do të fitonin shumë nga një sistem i transferimeve fiskale ndërkufitare, me kusht të kishte kontrolle adekuate të Brukselit mbi buxhetet kombëtare, në mënyrë që të parandalohen shpenzimet e pamatura.

Monedha e përbashkët ka një bankë të vetme dhe një politikë monetare, që nuk mund të plotësojë lehtësisht nevojat e një vendi individual, që përballet me një krizë ekonomike të madhe dhe është i izoluar.

Por pavarësisht entuziazmit të investitorëve dhe qasjes së Lagard, pengesat për një bashkim fiskal mbeten mbi të gjitha të natyrës politike. Ato nuk do të zhduken pavarësisht arritjes së marrëveshjes së fondeve të përbashkëta mbi përballimin e pasojave të pandemisë.

Ankandi i bonove të kësaj jave, për të financuar një skemë të BE-së që mbështet tregjet e punës, pati 233 miliardë euro kërkesë, shumë më tepër se sa vlera 17 miliardë euro e bonove në fjalë. Siç e shpjegoi kolegu im Markus Eshuort , kjo dëshmon se BE mund të jetë një lojtare serioz në rritjen globale të borxhit.

E megjithatë, mungesa e oreksit nga tregjet nuk ka qenë kurrë pengesa e vërtetë për thellimin e integrimit evropian. Investitorët po dynden që t’i japin hua Mekanizmit Evropian të Stabilitetit – fondi i shpëtimit i eurozonës – që nga krijimi i tij gjatë krizës së borxhit sovran të dekadës së fundit.

Bonot sociale të BE-së, ofrojnë një vlerësim të trefishtë, A-A-A, që gjithsesi nuk vlen dhe aq në një botë të mbytur nga borxhet e mëdha kombëtare. Ndërsa emetimi bonove 10-vjeçare të BE-së ofroi një lloj rendimenti negativ, ai mbetet gjithsesi më pak negativ – dhe për këtë arsye më tërheqës – se bonot e tjera të vlerësuar me AAA, siç janë bonot gjermane.

Mjerisht, pengesat politike për një bashkimin më të ngushtë midis vendeve anëtar të BE, duken ende të konsiderueshme, pasi disa vende me financa më të forta, druhen se mund t’u duhet të mbështesin pa fund fqinjët e tyre më të dobët. Dhe pavarësisht suksesit të tij të dukshëm në aspektin e kërkesës së investitorëve, ankandi i kësaj jave e përforcoi këtë shqetësim:Bonot sociale të BE-së, u sjellin më shumë fitime Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, dhe më pak vendeve si Spanja, Italia ose Greqia.

Në një kohë kur fitimet nga bonot kanë rënë kudo, këto ndryshime janë minimale. Gjithsesi, ato ende tregojnë se pjesëmarrja në “eurobono” të tilla, është më e mirë për vendet e brishta (ato paguajnë më pak se sa obligacionet që emetojnë vetë), dhe relativisht të shtrenjta për vendet me financa më të konsoliduara.

BE arriti të kapërcejë vështirësi të tilla në verë, kur arriti një marrëveshje historike mbi një fond të përbashkët prej 750 miliardë eurosh, që do të ndihmojë në mënyrë disproporcionale vende të tilla si Italia dhe Spanja.

Ç’është më e rëndësishmja, ky mjet do të ofrojë grante – duke i dhënë në thelb para përfituesve – si dhe hua, duke thyer kësisoj një tabu të zonës euro. Por negociatat mbi fondin janë duke vazhduar ende, dhe janë jo pak të vështira.

Parlamenti Evropian po kërkon mekanizma më të rreptë për t’u mohuar dhënien e parave atyre vendeve që thyejnë parimet demokratike si Hungaria dhe Polonia. Holanda, e cila prej kohësh kundërshton dhënien e granteve, po kërkon gjithashtu kushte më të rrepta mbi shpërndarjen e këtij fondi.

Për rrjedhojë, nuk ka gjasa që vendet e BE-së të marrin ndonjë ndihmë deri në mesin e vitit 2021. Tani për tani, qeveritë e veçanta nuk kanë asnjë problem të financojnë veten në treg, me ritme shumë të ulëta. Gjithsesi, është shqetësuese që një instrument i ngritur për të trajtuar një emergjencë si kjo e Covid-19, do të vonohet për shkak të grindjeve politike. Në Evropë zakonet e vjetra vdesin me shumë vështirësi, dhe këtë realitet nuk do ta ndryshojnë dot as investitorët e ngazëllyer. /Përktheu Alket Goce-abcnews.al