A po e çon Brexit drejt ndarjes Britaninë e Madhe?

schedule14:07 - 17 Prill, 2021

schedule 14:07 - 17 Prill, 2021

Nga Peter Geoghegan, Politico.eu

Gllasgou- Dhuna që përfshiu Irlandën e Veriut, është zbehur ndjeshëm pas vdekjes së Princit Philip. Trazirat mund të rikthehen, por ndërkohë ato kanë nxitur nisjen e një raundi tjetër  “argëtimi” popullor në politikën britanike:debatit  nëse fajin për trazirat e ka apo jo Brexit.

Ata që ishin kundër Brexit, tregojnë imazhet e  djegies së autobusëve përgjatë “mureve të paqes”  në Irlandën e Veriut, si një provë se Brexit do të rifillojë të ashtuquajturat “Troubles” (Trazirat).

Euroskeptikët – përfshirë shumë njerëz në Partinë Konservatore në pushtet – argumentojnë se trazirat janë një produkt i protokolli të gabuar të Irlandës së Veriut, që është një pjesë e marrëveshjes që arriti Mbretëria e Bashkuar me Bashkimin Evropian mbi Brexit, dhe që ka ngritur një kufi detar me atë që shumë unionistë i referohen si “kontinenti”.

Që të dyja palët kanë gjysmë të drejtë dhe gjysmë gabim në argumentet e tyre. Brexit dhe protokolli, janë dy anë të së njëjtës medalje:fiksimit të qeverisë britanike për të rikthyer një sovranitet, që gjoja i ishte dhënë Brukselit.

Slogani i mbështetësve të Brexit “për të rimarrë kontrollin” mund të ketë një logjikë të thjeshtë, por ai rrezikon një destabilizim serioz të një mbretërie tashmë të përçarë. Dhe kjo nuk është Askund më e dukshme sesa në Irlandën e Veriut.

Trazirat ishin dikur në thelb një betejë midis vizioneve konkurruese të sovranitetit. Ushtria Republikane Irlandeze donte të krijonte me forcë një Irlandë të bashkuar. Paraushtarakët besnikë të Kurorës – shpesh me ndihmën e forcave britanike të sigurisë – rrëmbyen armët për ta mbajtur në union Irlandën e Veriut.

Rezultati – në rreth 30 vjet pati 3.500 të vdekur – ishte një ngërç ushtarak. Zgjidhja e tij, Marrëveshja e së Premtes së Mirë, e bëri sovranitetin të kushtëzuar. Irlanda e Veriut mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por vendi i saj varet nga dëshirat e një shumice të thjeshtë të qytetarëve të saj.

Institucionet politike lidhin Dublinin, Belfastin dhe Londrën. Por ëndrrat e vjetra të sovranitetit nuk vdesin kollaj. Ndërsa nacionalistët irlandezë mbështetën qëndrimin në BE, shumica e unionistëve votuan për largimin, bazuar pjesërisht në besimin e gabuar, se Brexit do të frenonte përfshirjen e Dublinit në punët e brendshme të Irlandës së Veriut.

Kjo shpresë ishte e rreme. Brexit do të përfundonte në çdo rast me shqetësime mbi aktit delikat të balancimit kushtetues të rajonit. Sa më shumë ministra britanikë të mburren me sovranitetin e ri të Britanisë së Madhe – si për shembull Jacob Rees Mogg, udhëheqësi i Dhomës së Komunëve, që thotë se edhe peshqit janë “më mirë, dhe më të lumtur” të jenë britanikë – aq më shumë do të shqetësohen unionistët mbi protokollin anormal të Irlandës së Veriut.

Nga ana tjetër, Brexit i ka inkurajuar nacionalistët irlandezë të besojnë se një Irlandë e bashkuar, mund të jetë çështje kohe, dhe jo nëse do të ndodhë apo jo. Kryeministri Boris Johnson, ka decentralizuar edhe pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria britanike nxitoi të theksonte se administron një shtet unitar, në të cilin pushteti ndodhet në Uestminster, por formimi i parlamenteve skoceze dhe uellsiane në fund të shekullit XIX tregon një histori tjetër. Për shumë votues në Skoci dhe gjithnjë e më shumë,

në Uells, parlamentet e tyre kombëtare janë burimi kryesor i sovranitetit, edhe nëse pushteti legjislativ qëndron ende në Londër.

Pozita e Britanisë në Bashkimin Evropian, u dëmtua pas këtyre çarjeve. Kompetencat që përndryshe mund të ishin kontestuar midis niveleve të ndryshme të qeverisjes, shpesh i janë transferuar Brukselit. Ndërsa kërcënimi nga disa ministra britanikë për ta përqendruar pushtetin e riatdhesuar nga Brukseli është zbehur, është krijuar terreni për betejat e ardhshme midis Uestminster dhe parlamenteve lokale.

Tregu i brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, përcaktohet në mënyrë të njëanshme nga Londra. Këtë javë, qeveria britanike bëri të ditur se synon të nisë një sfidë ligjore kundër ligjit të miratuar nga parlamenti skocez për ta përfshirë në ligjin vendor Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Ironia e madhe e qasjes së fortë të Johnson ndaj kultit të sovranitetit parlamentar, është se ai ka të ngjarë t’i mbyllë derën kompromiseve të nevojshme, në rast se duhen rregulluar lidhjet e brendshme problematike të Britanisë.

Pandemia ka acaruar më tej tensionet brenda arkitekturës kushtetuese të njëanshme të Britanisë, me secilin prej “4 kombeve” që po ndjekin politikat e tyre të shëndetit publik. Siç paralajmëroi një javë një nëpunës civil i vjetër britanik, pandemia ka krijuar idenë se kryeministri Johnson “flet vetëm për Anglinë”.

Federalizmi është një ide, koha e së cilës nuk do të vijë thuajse kurrë. Çfarë të bëjmë me Anglinë, që përfaqëson 85 për qind të popullsisë së Britanisë së Madhe? Por një interpretim federalizues i kushtetutës, mund të lejojë divergjencat duke ruajtur integritetin e unionit.

Por me politikën britanike ende të dominuar nga premtimi i sovranitetit të shfrenuar, një fleksibilitet i tillë është shumë i vështirë. Për këtë dhe për dhunën e javës së kaluar, pa dyshim që fajtor është Brexit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al