A mundet Papa ta reformojë kapitalizmin?

schedule13:06 - 16 Shkurt, 2021

schedule 13:06 - 16 Shkurt, 2021

Nga Lawrence J.Mcquillan, The Hill

Papa Françesku ka krijuar një partneritet midis Vatikanit dhe disa prej kompanive më të mëdha në botë, organizatave jofitimprurëse dhe agjencive qeveritare, për të reformuar kapitalizmin.

Këshilli mbi Kapitalizmin Gjithëpërfshirës në Vatikan, udhëhiqet nga Gardianët e Kapitalizmit Gjithëpërfshirës, një grup zyrtarësh që përfaqësojnë subjekte të tilla si Banka e Amerikës, BP, Dupont, Fondacioni Ford, Mastercard, Merck, Fondacioni Rockefeller, Salesforce, Visa dhe shtetin e Kalifornisë në SHBA.

Nën drejtimin e Papës, këta “gardin” synojnë që të “reformojnë kapitalizmin, për ta shndërruar në një forcë të fuqishme për të mirën e njerëzimit”, dhe të krijojnë një “formë më përfshirëse, më të qëndrueshme dhe të besueshme të kapitalizmit”.

Por fatkeqësisht ata nuk e kuptojnë realitetin, se kapitalizmi nuk ka nevojë për reformim, dhe se ai është tashmë sistemi ekonomik më gjithëpërfshirës në botë. Nën kapitalizëm, çdokush mund të nisë një biznes dhe të ndjekë ëndrrat e tij, duke iu nënshtruar ligjeve themelore që ndëshkojnë mashtrimet, vjedhjet, dhe disiplinojnë marrëveshjet dhe kontratat.

Njerëzit janë të lirë që të negociojnë normat e pagave, dhe të përcaktojnë çmimet për të konkurruar në treg. Sipërmarrësit janë të lirë të investojnë kapitalin e tyre, të përtërijnë bizneset përmes teknologjisë së re, të zhvillojnë tregti në mbarë botën, dhe të punësojnë punonjësit më të mirë.

Nëse shkollat ​​nuk i përshtaten kohës, apo bankat i diskriminojnë njerëzit mbi baza raciale, sipërmarrësit mund të fillojnë operacione konkurruese me ta. Mjerisht, qeveritë në të gjithë botën nuk lejojnë lulëzimin e kapitalizmit të tregut të lirë.

Ato krijojnë pengesa për konkurrencën përmes licencimit të profesionit, pagave minimale, kartave bankare, kufizimeve në strehim, mbrojtjes për shkollat shtetërore dhe ofruesve aktualë të kujdesit shëndetësor, taksave të larta,madje edhe ligjeve që shtypin grupime të veçanta etnike dhe fetare.

Është nepotizmi ai që i përjashton pjesëmarrësit në një garë, dhe jo kapitalizmi i tregut të lirë, që është gjithëpërfshirës dhe gjithashtu sistemi më i drejtë ekonomik. Parimi “ti mban atë që fiton, dhe unë e mbaj atë që fitoj” është i drejtë në aspektin social.

Problemet lindin kur qeveritë ia marrin pasurinë apo të ardhurat një grupi, dhe ia japin një grupi tjetër që nuk i fitoi vetëm sepse përfituesit kanë vota të mjaftueshme, kontribute në fushatë apo fuqi politike. Kjo nuk është e drejtë, por Papa Françesku e mbështet këtë, duke bërë thirrje për më shumë “rishpërndarje të përfitimeve ekonomike nga shteti”, bazuar në pikëpamjen e tij të rreme të shumës zero, se njerëzit e varfër janë të varfër pasi njerëzit e pasur janë të pasur.

Rishpërndarja e të ardhurave nga qeveria, nuk ushqen një shoqëri më të kujdesshme apo Më të dhembshur. Përkundrazi, kjo skemë vendos njërin grup kundër një tjetri, duke e fragmentuar strukturën shoqërore, duke krijuar disharmoni dhe një kulturë varësie, dhe të gjitha ndërsa tkurret “byreku” ekonomik për të gjithë.

Një dhembshuri e vërtetë do të thotë vetëmohim, “të vuash me tjetrin”, që është e barabartë me bamirësinë private, e zgjedhur lirisht si qasje, për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Por nuk ka asgjë të dhembshur në shfrytëzimin e qeverisë për të marrë paratë e një personi, dhe për t’ia dhënë dikujt tjetër.

Kapitalizmi i tregut të lirë, është gjithashtu i rrënjosur në të drejtat e pronës private, të cilat promovojnë qëndrueshmërinë. Kur një pasuri zotërohet nga privati-si një shtëpi, makinë, biznes, burim natyror, etj -ky i fundit e konsideron efektin e veprimeve aktuale me vlerën e ardhshme të pasurisë.

Të drejtat e pronës private, përputhin stimujt me administrimin e burimeve të ardhshme. Problemet lindin -kjo është e njohur si “tragjedia e përbashkët” – kur të drejtat e pronës private nuk janë plotësisht të përcaktuara, ose kur mungon zbatimi i tyre.

Pastaj ndodh degradimi në formën e ndotjes së ajrit, ujit, peshkimit të tepërt, zhdukjes së specieve, zjarreve jashtë kontrollit, keqpërdorimit të ujit dhe shpyllëzimeve të shfrenuara. Këto probleme vijnë nga prona e kolektivizuar, jo nga kapitalizmi i tregut të lirë.

Papa Françesku dhe partnerët e tij të rinj në këtë nismë, nuk e njohin këtë dallim të rëndësishëm. Kapitalizmi është krijuesi më i madh i pasurisë që ka parë ndonjëherë bota, duke nxjerrë më shumë se 1 miliard njerëz nga varfëria ekstreme vetëm gjatë 3 dekadave të fundit.

Pasuria në fillim duhet të krijohet, para se të mund të përdoret për të ndihmuar të tjerët. Është gjithmonë më mirë të kesh më shumë pasuri kur përpiqesh të zgjidhësh një problem, sidomos varfërinë, ndotjen, shkollat ​​e dobëta dhe sëmundjet.

I rrënjosur në të drejtat e pronës private dhe tregjeve konkurruese të pa korruptuara, kapitalizmi është gjithëpërfshirës, ​​i drejtë, i qëndrueshëm dhe shpresa më e mirë për prosperitet paqësor dhe dinjitet njerëzor. Papa Françesku dhe këshilli duhet të promovojnë kapitalizmin në të gjithë botën dhe të punojnë për të reformuar qeveritë e korruptuara që i privojnë njerëzit nga bekimet e tij. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Shënim: Lawrence J.McQuillan, është drejtor i Qendrës për Inovacionin e Sipërmarrjes në Institutin e Pavarur me seli në Kaliforni, dhe kontribues në librin“Papa Françesku dhe Shoqëria e Kujdesit”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!