A mund t’ju bëjë humori një udhëheqës më të mirë?

schedule18:42 - 11 Dhjetor, 2022

schedule 18:42 - 11 Dhjetor, 2022

Nga Emilia Bunea

Unë kryej kërkime mbi udhëheqësit që kanë hobi të ndryshëm, dhe së fundmi jam ndalur tek kategoria e “komedianëve”: menaxherët e biznesit që bëjnë komedi të formatit “standup”, ose një teatër improvizues në kohën e tyre të lirë. Ata besojnë se hobi i tyre do t’i bëjë ata liderë më të mirë.

Dhe në këtë aspekt nuk janë një rast i veçantë. Të gjithë drejtuesit e kompanive me të cilët kam biseduar më thanë të njëjtën gjë. Humori po njihet tashmë si një aftësi thelbësore për një lidership të suksesshëm. Një varg kërkimesh të reja e pranojnë se megjithëse humori mund të jetë i rrezikshëm, udhëheqësit duhet që ta përdorin atë.

Kjo pasi menaxherëve-komedianë u besohet më shumë, dhe shihen si udhëheqës më të mirë. Ata nxisin aftësitë krijuese të punonjësve dhe e forcojnë angazhimin e tyre në punë, dhe e bëjnë që çdo lloj ndryshimi të perceptohet si më i menaxhueshëm, dhe të porsaardhurit në një punë të ndihen më të mirëpritur. Por të bësh humorin e duhur, kërkon që të dish se si ta krijosh atë, të zgjedhësh stilin tënd, dhe të dish kur ta përdorësh. Ja çfarë këshillash japin ekspertët

1.Si krijohet humori

Merreni këtë çështje seriozisht, ashtu si çdo aftësi tjetër të rëndësishme. Ndiqni një kurs, lexoni libra, praktikohuni. Për shembull mund të praktikoheni në formatin e komedisë “stand–up”. Ajo do t’iu mësojë se si të lexoni audiencën tuaj, si të qëndroni origjinalë dhe si ta shihni me një interes të ri botën përreth jush.

Nga improvizimi, ju do të mësoni se si ta dëgjoni realisht bashkëbiseduesin tuaj, në vend që të planifikoni fjalinë tuaj të ardhshme; si ta vini veten në situatat e njerëzve të tjerë, përpara se të vendosni nëse jeni dakord me ta apo jo; si të shijoni kreativitetin e ekipit tuaj, në vend që të diktoni idetë tuaja. Të gjitha këto leksione janë të dobishme për udhëheqjen në përgjithësi, dhe nuk shërbejnë vetëm për të qeshur.

2.Krijoni stilin tuaj

Studimet i ndajnë në 4 kategori stilet e humorit. I pari është stili afiliativ ose shoqërues, pra humori që përfshin edhe të tjerët (Ne e shpërndamë projektin. Ja këto janë për ‘mamitë’ më të mira të kompanisë!). Së dyti është stili vetë-përmirësues, kur gjërat janë të vështira duke gjetur kënaqësinë në të gjitha (Dreqin, e humba këtë klient. Epo, dikush do ta gjejë atë në fund). Së treti, është stili vetë-shkatërrues, pra poshtërimi i vetes (Unë jap leksione të paçmueshme për udhëheqjen e keqe).

Së katërti është stili agresiv (Çfarë lloj trajnimi keni bërë? Një trajnim sa për të thënë?). Si rregull, ju duhet ta përdorni humor shoqërues dhe vetë-përmirësues, dhe të qëndroni larg stileve vetë–shkatërruese dhe agresive. Por humori vetë-përçmues? Ndërsa humori vetë-shkatërrues është negativ, versioni i tij, humori vetë-përçmues është shumë efektiv. Madje disa thonë se ai duhet të jetë i detyrueshëm për liderët.

A është humori agresiv gjithmonë i keq për udhëheqjen? Disa kompani apo ekipe kanë një kulturë në të cilën goditja me grushte është një sport, dhe të gjithë janë pjesë e lojës. Kjo ndodh më shpesh në ekipe më pak hierarkike dhe më kreative.

Si një udhëheqës, ju duhet të kultivoni pikërisht një kulturë të tillë. Mjafton të njihni forcën tuaj, pasi roli i liderit vjen me njëfarë fuqie shtesë: mos goditni askënd që nuk e ka mendjen. Në të kundërt, nëse keni në kompani një kulturë shumë hierarkike, pra me një “kulturë të “kontrollit”, nuk është pothuajse kurrë një ide e mirë të përdorni stilin tuaj të humorit agresiv, pasi kjo mund të shkaktojë dëme të pariparueshme.

3.Kur duhet përdorur humori

Nëse jeni rishtar në përdorimin e humorit si një lider, do të dëshironi që të filloni gradualisht. Për shembull do ta provoni këtë qasje gjatë shakave dhe batutave që shkëmbeni para mbledhjes, dhe jo gjatë takimit ku do të diskutohet mbi shitjet e dobëta.

Ju nuk do ta përdorni plotësisht këtë qasje, përpara se të keni fituar njëfarë besimi nga ekipi juaj.

Por humori më efektiv dhe transformues i një lideri, ndodh shpeshherë në situatat më të rrezikshme. Po ju tregoj një rast kur isha përgjegjëse e zyrës së financave të një kompanie të kujdesit shëndetësor. Gjatë një takimi ku po diskutohej për ndërtimin e një pavioni të ri spitalor, menaxheri i projektit na dha një lajm të tmerrshëm: kalimi midis pavionit të ri dhe atij të vjetër ishte 1 centimetër më i ulët ndaj ambulancat nuk mund të kalonin dot.

Unë fillova të ndërmend shifrat e reja, pasi kjo nënkuptonte një ripunim serioz të projektit dhe një tejkalim të buxhetit fillestar. Pati një moment të gjatë heshtjeje, ndërsa të gjithë ishin kapluar nga paniku, derisa drejtori i operacioneve tha: “A keni provuar t’i lyeni ambulancat me vazelinë?”.

E qeshura e madhe që pasoi në sallë e reduktoi tensionin, dhe i dha mundësi ekipit të fillonte të mendonte për mënyrat krijuese për të zgjidhur problemin, në vend se të niste debatin toksik se kush e kishte fajin. Ajo shaka u bë legjendare në kompaninë tonë.

Por nëse shefi i madh, që ishte gjithashtu i pranishëm në mbledhje, do të ishte vrenjtur në fytyrë në vend se të qeshte edhe ai me batutën e gjetur, atëherë drejtori i operacioneve në kompani do ta kishte punën pisk.

Ndërkaq një studim i kohëve të fundit, zbuloi se mënyra se si bëhet humor varet shumë më tepër nga audienca sesa nga cilësia e tij. Nëse askush nuk e kupton se po bënit shaka, dhe pushoni nga puna pjesëtarin më të ngurtë të ekipit; atëherë do të habiteni se sa shpejt do të përmirësohet sensi i humorit i anëtarëve të mbetur të stafit. / “Psychology Today”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!