A mund të shmangej marrja e pushtetit nga Hitleri më 1933?

schedule16:44 - 2 Shkurt, 2023

schedule 16:44 - 2 Shkurt, 2023

Teorikisht çdo gjë mund të ishte zhvilluar ndryshe. Sepse në fillim të viteve 1930-të dukej sikur Hitleri dhe partia e tij, Partia Nacionalsocialiste Gjermane e Punëtorëve , (NSDAP), i kishin  ditët e numëruara. Këtë thotë historiani dhe shkrimtari gjermano – izraelit, Dan Diner kur flet si e morri Hitleri pushtetin, në 30 janar 1933. Partia NSDAP dhe kryetari i saj, Hitler kishin pësuar humbje të mëdha në vjeshtë të 1932-it. Edhe vetë shokët e tij u habitën kur papritur Hitleri u emërua kancelar.

Ngjitja e tij deri në majë, do të kishte pasoja të tmerrshme. 60 milionë vetë humbën jetën në të gjithë botën, gjashtë milionë hebrej u vranë e po ashtu u vranë edhe sintit e romët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara e homoseksualët. 30 janari i 1933, ka qenë një nga ditët kur është marrë kthesë shumë e madhe në histori.

“Marrja e pushtetit” ishte dhënie pushteti

Kjo datë është kthyer në “pikë absolute, pike arkimediane të historisë gjermane”, thotë Dan Diner në intervistë për DW. “Në këtë ditë ka ndodhur diçka, me të cilën ne historianët, por edhe bashkëkohësit dhe ata që kanë jetuar më vonë masin kohën. Është mbase një nga ditët më të të jashtëzakonshme dhe ditët që kanë rënë më shumë në sy në historinë gjermane të shekullit të 20-të.”

Kjo gjë fillon që me termin “marrje pushteti”, një fjalë e krijuar me qëllim nga propaganda naziste. Më 30 janar, pushteti nuk u morr nga Hitleri, ai iu dha Hitlerit: Presidenti gjerman, Paul von Hindenburg e emëroi atë kancelar. Gjenerali në moshë të thyer ishte mbrojtur duke luftuar shumë kundër Hitlerit, duke mos i dhënë postin e kancelarit megjithë rezultatin e mirë që kishte arritur në votimet e gushtit të 1932, një nga humbjet kjo më të mëdha që ka pasur Hitleri.

“Hitleri nuk ishte vetëm një aksident”

Historiani britanik Ian Kershaw numëron në veprën e tij botuar më 1998 për Hitlerin, faktorë të ndryshëm që ndikuan për marrjen e pushtetit nga Hitleri: Së pari ai përmend procesin e dobësimit të demokracisë në Republikën e Vajmarit, republikë që nuk ishte në gjendje që të mbronte dhe vinte në jetë interesat e veta, kryesisht ekonomike. Përveç kësaj, ai përmend vendosmërinë absolute të konservatorëve të djathtë “për të shuar demokracinë dhe shkatërruar socializmin”.

Mbas trazirave të krizës ekonomike botërore, mbështetja iu dha sërish një sistemi autoritar, megjithëse edhe vullneti i Hitlerit për pushtet dhe për shkatërrim, u nënvleftësua sërish e sërish nga shumë palë. “Hitleri nuk ka qenë rezultati i pashmangshëm i ‘Sonderwegs’, rrugës së posaçme gjermane,” thotë Kershaw, por “nuk ka qenë as thjesht një aksident”. (Sonderweg, rruga e posaçme gjermane ka qenë një teori e historiografisë gjermane, që i referohet kalimit nga aristokracia në demokraci, gjë që ka ndodhur vetëm në Gjermani. (shënim i red.)

Hitleri duhet parë duke pasur para syve kontekstin bashkëkohor: luftën, revolucionin, poshtërimin kombëtar të Gjermanisë që humbi Luftën e Parë, dhe frikën nga bolshevizmi.

Natyrisht që në lojë në atë kohë kanë marrë pjesë shumë faktorë, thotë edhe historiani Dan Diner, i cili ka bërë shumë studime krahasuese për këtë temë. Për të elementë të rëndësishëm janë kriza ekonomike dhe struktura e Kushtetutës së Vajmarit, me të cilën partitë e radikalizuara arrinin të hynin shpejt në parlament.

Megjithëse ai vëren një kontradiktë: Emërimi i Hitlerit kancelar ka qenë një ngjarje e papritur, thekson Dan Diner. “Partia NSDAP ishte duke u shpërbërë. Që prej vjeshtës së 1932 filloi një hov ekonomik. NSDAP ishte duke rënë, ekonomia duke u zhvilluar. Dhe pikërisht në këtë moment Hitleri bëhet kancelar. Kjo gjë nuk duhet të kishte ndodhur.”

Edhe bashkëkohësit e tij mendonin kështu. Korrespondenti në Gjermani i gazetës New York Times, shkruante në atë kohë e Hitleri “e kishte humbur shansin” dhe do përfundonte tani si politikan province bavareze.

“Fije mundësish”: A mund të ishte zhvilluar historia ndryshe?

Çështja e mundësisë së evitimit të marrjes së pushtetit nga Hitleri, nuk e le të qetë historianin Dan Diner. Në një ekspozitë të veçantë, realizuar bashkë me fondacionin Alfred Landecker (kryetar i së cilës është Dan Diner), muzeumi gjerman i historisë, Deutsche Historische Museum, në Berlin tregon për skenarët e ndryshëm që mund të kishin ndryshuar kursin e historisë: Ekspozita “Roads not taken. Ose: Mund të kishte ndodhur ndryshe” (Konceptimi: Dan Diner, kuratore: Julia Franke dhe Lili Reyels) që do të qendrojë e hapur deri në 24 nëntor 2024, i dedikohet kësaj çështjeje jo vetëm duke pasur parasysh 1933, por edhe të dhëna të tjera themelore të historisë gjermane nga 1848 deri 1989, kur ndodhi rrëzimi i Murit të Berlinit.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me histori kontrafaktuale,” qartëson Dan Diner, “por ne mbështetemi tek piramida e realitetit për të parë çfarë mundësish të tjera ka pasur poshtë, në bazë, gjë për të cilat nuk flitet më në tregimin e historisë.”

Në prapaskenë: Si u bë Hitleri kancelar

Ngjarjet e rëndësishme historike shihen duke u parë si me mikroskop. Emërimi i Hitlerit kancelar në vitin 1933, ishte rezultat edhe i intrigave të mpleksura dhe bërrylave të futura në prapaskenat e pushtetit. Këtu kanë luajtur rol orgurzi një numër i madh personash, më kryesori prej të cilëve ka qenë Franz von Papen, të cilit iu desh të jepte dorëheqjen nga posti i kancelarit në nëntor 1932, sepse nuk arriti të merrte shumicën, dhe shihte tani vetëm një mundësi për të ardhur sërish në pushtet. Llogaritë e bëra i ecën (vetëm në fillim), sepse në qeverinë Hitler- Papen- Hugenberg, ai u zgjodh më 30 janar 1933 si zëvendëskancelar.

Von Papen (anëtar i partisë, Partia e Qendrës nga 1921 deri 1932, pastaj i paparti, dhe pas 1938 anëtar i NSDAP) ishte njeri besnik i Hindenburgut. Në janar 1933, ai zhvilloi me Hitlerin bisedimet për kushtet e krijimit të një kancelarie dhe qeverie të përbashkët, dhe bindi madje Hindenburgun se kjo ishte rruga e duhur.

Kurse Hugenbergu ishte kryetar i partisë, Partia Nacionale Popullore Gjermane, (DNVP) dhe u josh me dhënien e postit të ministrit të ekonomisë, bujqësisë dhe ushqimit, nëse jepte aprovimin për emërimin e Hitlerit në postin e kancelarit. Një ditë pas dhënies së pëlqimit, Hugenberg duhet të jetë bërë pishman, sepse i ka thënë Reinhold Quaatz-it, bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë: “Unë kam bërë dje budallallëkun më të madh të jetës sime: u bëra bashkë me demagogun më të madh të historisë së botës”.

Kancelari në post, Kurt von Schleicher, e kundërshtoi me gjysmë zemre krijimin e kësaj aleance. Pas një bisede me Hindenburgun ai dha dorëheqjen, presidenti i shkruajti: “Ju faleminderit, zoti gjeneral, për gjithshka që keni bërë për atdheun. Tani le të shohim se si me ndihmën e Zotit, do të vazhdojë të vrapojë lepuri.”

Në janar 1933, të gjithë pjesëmarrësit dhanë pëlqimin duke shpresuar se kryetari i NSDAP, “do të zbutej” nga marrja pjesë në qeveri, edhe sepse Hitleri hoqi dorë nga disa kërkesa (në gusht 1932 ai kërkonte postin e kancelarit dhe katër poste ministrash, kurse tani donte “vetëm” postin e kancelarit, Ministrisë së Brendshme të Perandorisë dhe Ministrisë së Brendshme të Prusisë). Një mashtrim monumental. Schleicheri ishte një ndër të parët që u bë viktimë e Hitlerit. Ai fliste shpesh keq për nacionalsocialistët, prandaj këlyshat e SS e vranë bashkë me të shoqen në shtëpinë e tij në 30 qershor 1934.

Mbrohu nga fillimet: Mësimi për ditët e sotme

“Hitleri ka lënë një shprehje: ‘Më kërkuat dhe më gjetët.’ Uh, më zunë djersët e ftohta. Sikur të ekzistonin forca magjike, që e vënë në lëvizje një person që kthehet në bombë atomike,” thotë historian Dan Diner për zhvillimin e historisë. Perspektiva e ekspozitës tregon qartë se uria për pushtet dhe interesat personale të aktorëve të veçantë shtruan rrugën për ardhjen e Hitlerit.

Një pike tjetër e rëndësishme ka qenë ndihma financiare që partia naziste, NSDAP morri nga ndërmarrjet gjermane. Nga pikëpamja ekonomike, partia nuk i kishte punët mirë në vitin 1932.

Çfarë roli kanë luajtur industrialistët në këtë kohë dhe si e ndihmuan ata Hitlerin në fushatën elektorale, e përshkruan për shembull në librin e tij, “Trashëgimi e murme. Historia e errët e dinastive të pasura gjermane” botuar më 2022, studiuesi i shkencave të politikës, historiani dhe gazetari financave, David de Jong.

Dan Diner e vëzhgon historinë edhe në pasqyrimin e çështjeve të aktualitetit. Pikërisht tek krizat e sotme ai dallon paralele me të kaluarën, edhe me vitin 1933: “Problemi më i madh ka qenë se institucionet, që sigurojnë demokracinë u shpërbënë,” thotë historiani. Kjo pati si pasojë humbjen e madhe të kontrollit. Në periudhën e fundit të Republikës së Vajmarit, regjimi u mbajt vetëm nga ligjet e jashtëzakonshme, parlamenti u bllokua, presidenti mund të emëronte dhe shkarkonte kancelarin vetëm duke u mbështetur tek maturia e vet.

Respektim i institucioneve

Çfarë mësimesh duhet të nxjerrim sot? Përgjigja e Dan Diner-it është e thjeshtë, por kuptimplotë: “Mësimi që duhet nxjerrë është, respektim i institucioneve.” Dhe mbajtja e syve hapur: Megjithëse “Sturmabteilung” (SA), organizata paramilitare luftarake e partisë naziste NSDAP, doli në mbrëmjen e 30 janarit të 1933-it duke marrshuar me pishtarë në duar në errësirën e Berlinit deri tek Portat e Brandenburgut, shumica e njerzëve nuk e panë katastrofën që po fillonte. Pjesa më e madhe e shtypit serioz nuk pa tek qeveria e re arsye për t’u shqetësuar. Vetëm pak vetë e dalluan rrezikun. Por paralajmërimet e tyre nuk u dëgjuan./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!