A mund të mbijetojë lëvizja opozitare e Alexei Navalny në Rusi?

schedule22:48 - 13 Mars, 2021

schedule 22:48 - 13 Mars, 2021

Nga John McLaughlin, OZY

Administrata e Joe Biden vendosi javën e shkuar sanksionet ekonomike ndaj një numri zyrtarësh rusë, si një kundërpërgjigje ndaj helmimit të liderit të opozitës Alexei Navalny

në gushtin e vitit të kaluar, dhe burgosjes së tij kur u rikthye në Moskë më janar 2021,pas kurimit të suksesshëm në Gjermani.

Mbështetësit e Navalny e pritën veprimin e Kremlinit me një valë protestash mbarëpopullore, gjatë të cilave u ndaluan mbi 4.000 persona. Protestat tani janë qetësuar, dhe kur kjo ndodh në Rusi, tundimi, bazuar në historinë e kohëve të fundit, është të mendosh se kjo është një tjetër lëvizje që nuk ka gjasa t’i mbijetojë një represioni të madh.

Por, si një vëzhgues i vjetër i Rusisë, unë mendoj se ekzistojnë disa arsye modeste për ta vënë në dyshim këtë përfundim në rastin e Alexei Navalny dhe mbështetësve të tij. Administrata e Biden thotë se ka informacion të klasifikuara se helmimi i Navalny u krye nga një agjenci ruse e inteligjencës. Ndërkohë, vetë Navalny mashtroi një agjent federal për ta pranuar këtë gjë gjatë një telefonate.

Natyrisht,Kremlini e mohon këtë akuzë. Por mohime të tilla janë të dyshimta, pas të paktën 3helmimeve të profilit të lartë që kanë ndodhur që nga viti 2006 i njerëzve që kundërshtojnë regjimin që janë të lidhur me kundërshtarët e regjimit.

Pyetja themelore është nëse protestat në lidhje me Navalny, janë në thelb të ndryshme nga ato të mëparshme dhe potencialisht më të qëndrueshme. Parashikimet mbi Rusinë janë shumë të vështira, siç vinte dikur në dukje edhe Winston Churchill.

Por ka disa aspekte të lëvizjes së Navalny, që duken unike midis lëvizjeve moderne të protestave në Rusi, dhe krahasuar me protestat e ngjashme në Bjellorusinë fqinje. Së pari, Navalny ka pasur një prani të qëndrueshme në politikën ruse për afro 12 vjet.

Ai u shkëput nga establishmenti në vitin 2007, duke mbështetur një markë të nacionalizmit rus që përfshinte të drejtën e mbajtjes së armëve, kundërshtimin e emigracionit, dhe miratimin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji.

Por gjatë 6 apo 7 viteve të fundit, pikëpamjet e tij kanë evoluar në drejtim të liberalizmit klasik perëndimor. Sot, në terma amerikanë, Navalny mund të shihet si “progresiv”. Ai nuk është shumë popullor- anketuesit vlerësojnë se ai gëzon mbështetjen e 15-20 për qind të rusëve.

Por ai është bërë një emër i njohur në Rusi. Dhe nëse të qenit i famshëm vlen për ndonjë gjë në politikë, ai e ka atë themel ku mund të mbështetet. Së dyti, përbuzja e tij ndaj presidentin Putin duket se e ka prekur presidentin në një përmasë më personale, sesa kritikët e mëparshëm.

Dhe çelësi i kësaj është videoja që ka bërë publike ekipi i Navalny, ku pretendohet se zoti Putin zotëron një pallat shumë luksoz në Detin e Zi. Megjithëse Putini e refuzon këtë pretendim, dhe shumica e rusëve që e panë thanë se ajo nuk i ndryshoi pikëpamjet e tyre mbi presidentin, videoja në YouTube u bë virale me të paktën 110 milion shikime, dhe e nervozoi shumë Putinin.

Së treti, lëvizja e Navalny i përdor mediat sociale më me shkathtësi sesa paraardhësit e tij. Ajo ka qenë në gjendje që të prodhojë një pjesëmarrje më të lartë në protestat në rrugë. Një tregues më i mirë i pranisë së lëvizjes janë 2 kanalet e saj në YouTube me 6 milion abonentë dhe rreth 30 milion ndjekës.

Për më tepër, qeveria ka hezituar që të vërë nën kontroll internetin, pjesërisht për shkak se popullata, dhe sidomos të rinjtë, janë shumë të dashuruar me mediat sociale dhe disponueshmërinë e kaq shumë aplikacioneve perëndimore.

Së katërti, lideri i opozitës është i organizuar në të gjithë vendin. Lëvizja Navalny ka zyra në shumicën e qyteteve kryesore ruse, të paktën 40 të tilla, me një staf prej mbi 300 punonjësish të paguar dhe disa mijëra vullnetarë. Kjo shifër nuk është aq e madhe në një vend kaq të madh me 11 zona kohore, por më shumë se sa kanë pasur deri tani figurat opozitare.

Së pesti, Navalny ka një platformë. Dhe ashtu si me të gjitha platformat politike, ajo e Navalny duhet të shihet si frymëzuese, pasi nëse zbatohet, propozon lëvizjen e Rusisë drejt një shteti “evropian”më normal. Theksi është tek qëllime të tilla si reforma në drejtësi, ligjet anti-korrupsion, rritja e pagave dhe përfitimet sociale, dhe zhvendosja e sistemit të fuqishëm presidencial të Rusisë drejt një sistemi që i rrikthen më shumë autoritet rajoneve.

Pikëpamjet e tij mbi politikën e jashtme, janë më të vështira për t’u dalluar, dhe është shumë shpejt të thuhet nëse ai do të shkojë drejt marrëdhënieve më të ngushta me Evropën apo Shtetet e Bashkuara. Por ky “vizion” shkon më larg sesa udhëheqësit e opozitës në Bjellorusinë fqinje, të cilët janë të përqendruar në rrëzimin e regjimit, pa asnjë program të krahasueshëm për ta zëvendësuar atë.

Së fundmi, grupi i Navalny ka një vizion afatgjatë. Ai nuk e pret suksesin brenda natës, dhe synon që të shkatërrojë me kalimin e kohës regjimin, me synim tejkalimin e numrit të mbështetësve të Putinit. Emblematike e kësaj është serioziteti i tyre në lidhje me zgjedhjet. Ky grupim nuk po garon direkt në zgjedhjet e shtatorit për Dumën (dhoma e ulët të parlamentit rus), por do të synojnë qëtë mbështesë kandidatët që mund ta mundin Putinin – një taktikë që Navalny e quan “votim të zgjuar”. Kjo skemë ka pasur disa suksese modeste në disa votime lokale.

Sado mbresëlënëse që janë strategjia dhe taktikat e Navalny, ai ka ende një sfidë shumë të vështirë përpara. Sondazhet tregojnë se përveç popullaritetit të tij të pakët, rusët, të mësuar prej kohësh me vështirësitë dhe zhgënjimet, janë skeptikë se ai do të sillte diçka më të mirë në qeverisjen e vendit apo jetën e tyre.

Njëherazi, popullariteti i i Putinit, edhe pse arriti minimumin e të gjitha kohërave gjatë fazës më të keqe të pandemisë, tani është i qëndrueshëm në nivelin rreth 65 për qind. Kjo është një rënie e madhe krahasuar me 89 për qind kur aneksoi Krimenë nga Ukraina, por Putini mbetet ende politikani më popullor në vend.

Përfundimi:Ne nuk mund ta dimë ende nëse lëvizja Navalny do të ketë forcën dhe qëndrueshmërinë për ta ndryshuar Rusinë në aspekte shumë themelore. Por është gjithashtu shumë shpejt për ta shtuar atë në listën e gjatë të protestuesve që arritën një famë të menjëhershme, vetëm për t’u zbehur nën barrën e dënimit me burg dhe shtypjes nga Kremlini. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: John McLaughlin, ish-zëvendesdrejtor i CIA-s. Jep mësim në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, SHBA.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!