Nga Sonja Peteranderl “Der Spiegel’
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kur shtigjet në malet përreth Sushitotos janë të zëna, Erick Castro e hap rrugën me hanxharin që mban në duar. I riu Salvadorani punon në arat e misrit të familjes së tij, dhe si guidë për turistët. Shpesh telefoni i tij celular nuk ka valë këtu në male. E megjithatë, fermeri 28-vjeçar është një adhurues i Bitcoin.
Ai nuk është në gjendje të paguajë asgjë në mënyrë dixhitale në fshatin e tij El Sitio Zapopan, ku jetojnë rreth 130 familje. Fqinjët e tij paguajnë në çdo rast me para në dorë, dhe preferojnë t’i grumbullojnë paratë e tyre nën jastëk, në vend se t’i depozitojnë në banka.
Por në qytetin tjetër të vogël, Sushitoto, një pjesë e vogël e dyqaneve dhe restoranteve po pranojnë Bitcoin-in si pagesë. Castro bleu herën e fundit bukë, të cilën e pagoi me aplikacionin shtetëror Chivo- 0.00010772 Bitcoin, ose ekuivalenti i 5.45 dollarëve.
“Unë besoj se Bitcoin është e ardhmja. Por ndoshta do të duhet të kalojnë edhe 10 vite të tjera, përpara se të gjithë këtu të paguajnë në mënyrë dixhitale”- shprehet Castro. Ai është krenar që e sheh El Salvadorin në titujt e mediave ndërkombëtare si një laborator teknologjik, dhe jo për bandat dhe dhunën që mbizotëron në këtë vend.
El Salvadori ka qenë i njohur më parë si një vend nga ku njerëzit donin të largoheshin,pasi nuk besonin se kishte shumë të ardhme për ta. Vendi më i vogël i Amerikës Qendrore banohej nga 6.5 milionë njerëz. Gati 3 milionë salvadorianë jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara.
Por duke qenë se presidenti atipik Nayib Bukele, vetëm 40 vjeç, ka nisur shndërrimin e shpejtë të vendit në një shtet të Bitcoin, kohët e fundit ka pasur një lloj të ri optimizmi, të paktën në mesin e atyre që nuk mendojnë se basti i Bukeles për kriptomonedhën e paqëndrueshme është një megalomani e rrezikshme.
Presidenti po e reklamon këtë plan si një rrugëdalje nga varfëria. Ai dëshiron qëta transformojë El Salvadorin në një qendër për inovacionin dhe turizmin, duke hapur mijëra vende të reja pune. Po ashtu Bukele dëshiron ta përdorë Bitcoin për të promovuar përfshirjen financiare në një vend ku sipas Bankës Botërore, vetëm 30 për qind e popullsisë ka një llogari bankare.
Por, kritikët e shohin vizionin e tij si një makineri gjigante marketingu, dhe si një përpjekje për të mbushur arkat e boshatisura të shtetit. Bukele po e pozicionon veten si një “ungjilltar teknologjik”, njëlloj djali plan-prishës që po shkel rregullat politike tradicionale.
Ai shfaqet në publik me një kapele bejsbolli në kokë dhe me një xhaketë lëkure, ndërsa i përdor rrjetet sociale si një makineri të marketingu politik. Në Twitter, ai i referohet vetes si “CEO i El Salvadorit” dhe qeveris në stilin e Silicon Valley, duke nxitur reforma të shpejta, dhe shpërfillur zërat skeptikë.
Bukele sulmon mediat kritike, dhe madje i detyroi ushtarët të marshonin në parlament, për t’i nxitur politikë-bërësit të miratonin një buxhet të shtuar për reformën në fushën e sigurisë. Gjithsesi sipas një sondazhi, ai pëlqehet aktualisht nga 85 për qind e qytetarëve, dhe vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar si një pionier i kriptomonedhave.
Gjashtë muaj më parë, Bukele njoftoi gjatë një lidhje me video në Konferencën e Bitcoin 2021 në Majemi, se do ta fuste Bitcoin si një monedhë të ligjshme në vendin e tij. Vetëm pak ditë më vonë, ai prezantoi ligjin përkatës në parlament, ku partia e tij ka shumicën.
Që nga shtatori 2021, edhe tregtarëve u kërkohet që përveç dollarëve amerikanë të pranojnë kriptovalutat, në rast se janë teknikisht të aftë për ta bërë këtë. Në vitin 2022, Bitcoin City synohet të ndërtohet rrëzë malit vullkanit Conchagua në juglindje të vendit.
Ai pritet të jetë vendndodhja e një qendre të madhe teknologjike, të cilën Bukele planifikon ta financojë pjesërisht përmes kriptobonove qeveritare. Sipas presidentit, qeveria do të sigurojë infrastrukturën dhe investitorët do të ndërtojnë zyra, apartamente dhe qendra tregtare.
Energjia për këtë operacion do të gjenerohet nga vullkani. El Salvadori ka 170 vullkane, dhe shpreson që të jetë në gjendje të prodhojë Bitcoin-in e vet në një shkallë të gjerë, duke shfrytëzuar energjinë gjeotermale. Nelson Rosa ka dëgjuar për Bitcoin City.
Por nga shtëpia e tij e vogël në Conchagua, ai mund të shohë vetëm pyjete dendura, disa fusha misri dhe Gjirin e Fonsekës. Deri më tani, gjithçka që ka ndodhur është shtrimi me asfalt i rrugës së ngushtë që gjarpëron deri në majën e malit dhe që kalon buzë shtëpisë së Rosa-s.
Ai thotë se Bitcoin City mbetet “një fantazmë”, dhe një projekt që synon investitorët e huaj dhe jo “njerëzit normalë”. 31-vjeçari dhe bashkëshortja e tij kanë celular dhe lidhje me internetin, por janë shumë dyshues në lidhje me kriptovalutat.
“Bitcoin është për njerëzit që e kuptojnë se si funksionon”- thotë Rosa, që punon si roje sigurie. Deri më tani, ai ende nuk e ka as aplikacionin Chivo, që do t’i jepte mundësinë të merrte kredinë fillestare prej rreth 30 dollarësh,të cilën presidenti dëshiron ta përdorë si një nxitje për t’i bërë njerëzit entuziastë për Bitcoin.
Ndihmësit po ndihmojnë qytetarët më pak të aftë për teknologjinë të regjistrohen për Chivo në kabinat e informacionit që janë ngritur në shumë qytete. Rreth 200 ATM që përdorin aplikacionin Chivo janë instaluar në mbarë vendin. Atje, salvadoranët mund të marrin kredi dixhitale ose të shkëmbejnë dollarët me Bitcoin.
Ato ruhen nga oficerë policie apo ushtarë të armatosur. 60 ATM të tjera janë ngritur në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, për të lehtësuar transfertat e parave pa asnjë tarifë midis të afërmve që kanë emigruar jashtë vendit dhe banorëve aktualë në Salvadorit. Remitancat përbëjnë më shumë se 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të këtij vendit. “Athenas”, kompania amerikane e cila zhvilloi aplikacionin Chivo së bashku me qeverinë, pretendon se ai ka që tani rreth 4 milionë përdorues. Por shumë prej qytetarëve kanë shpenzuar vetëm kredinë fillestare të Bitcoin që ua ka dhënë qeveria.
“Shumica i tërheqin 30 dollarët dhe kaq”- thotë një police që ruan bankomatet e Chivo. Ajo thotë se vetë e ka përdorur kredinë për të blerë ilaçe. Shumë njerëz i thanë “DER SPIEGEL” se ata e shpenzuan kredinë e tyre për ushqim, për shkuarjen në restorante apo veshje, dhe që nga ai moment nuk e kishin përdorur më aplikacionin.
Ndërkohë tregtarët thonë se shumë pak salvadoranë po paguajnë me kriptomonedha në jetën e tyre të përditshme, edhe pse supermarketet e mëdha si “Súper Selectos”, filialet e rrjeteve amerikane “Starbucks” dhe “Subway” dhe disa bare, dyqane, madje edhe tezga të vogla nëpër tregje pranojnë Bitcoin.
“Nuk është se pas 2 vitesh të gjithë do të përdorin Bitcoin”- thotë eksperti i kriptomonedhave Jeff Gallas, themeluesi i Fulmo, një kompani e re e rrjetit “Bitcoin Lightning” me bazë në Berlin të Gjermani. Megjithatë, ai e cilëson si një fillim të suksesshëm “duke pasur parasysh kohëe shkurtër”. Ai thotë se qeveria duhet të tregojë se mund t’i mbajë të gjitha premtimet e saj, dhe të rregullojë defektet e aplikacionit Chivo.
Të metat e sigurisë në këtë softuer, lejuan mashtruesit që të vjedhin kreditet e qindra qytetarëve. Ndonjëherë, nuk kanë funksionuar as transfertat e parave. El Salvador po provon diçka të re. Por vendet e tjera mund të shohin se çfarë nuk po funksionon, dhe më pas të ndjekin shembullin”-thotë Gallas.
Por jo të gjithë këtu janë adhurues të Bitcoin. Në Pupuseria, Mama Blanca ka një kioskë të vogël ku shet ushqime të çastit. “Bitcoin nuk është për mua”- thotë 55-vjeçarja. Ajo thotë se filloi të pranonte pagesa me kriptomonedhë në fillim të pandemisë, kur po fitonte shumë. Por më pas vlera e Bitcoin ra. “Kam humbur 800 dollarë”- thotë ajo.
Shumë salvadorianë kanë të njëjtën frikë se mos humbin atë që kanë si pasojë e luhatjeve të mëdha të çmimeve. Në kryeqytetin San Salvador, ka pasur madje disa protesta kundër Bitcoin. Po ashtu, kritikët mendojnë se me investimet e tij në Bitcoin,presidenti po luan bixhoz me paratë e taksapaguesve.
Ata shtojnë se burimet e parave janë të errëta. “Qeveria nuk është transparente në lidhje me burimet e saj të financimit apo se si shpenzohen paratë”- thotë Marjorie Chorro de Trigueros, drejtoreshë e çështjeve ligjore në Fusades, një institut i pavarur në El Salvador.
Vendi i vogël është tashmë i mbytur në borxhe, por kjo nuk e ka penguar atë të shpenzojë 70 milionë dollarë fonde nga buxheti i shtetit për blerjen e 1.370 Bitcoin deri më tani, raporton gazeta El Diario de Hoy. “Vendet nuk duhet të luajnë bixhoz me fondet publike”- thotë Christian Ambrosius, ekonomist në Universitetin e Lirë të Berlinit, i specializuar në Amerikën Latine. “Për sa kohë që tendenca e Bitcoin është në rritje, gjërat ka të ngjarë të shkojnë mirë. Por askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo”- thekson ai. /abcnews.al