Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, në një intervistë për “Newsline” me gazetaren Viol Xhafaj, komentoi ndikimin që mund të ketë Greqia në procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së pas përplasjeve lidhur me arrestimin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Duke komentuar ftesën që kryeministri grek i bëri presidentit Bajram Begaj dhe jo homologut Edi Rama, Gjipali tha se ishte një mesazh për të treguar forcën që ka shteti fqinj dhe për të rritur presionin ndaj Shqipërisë.
“Ishte një mesazh që u reflektua që përpara këtij samiti informal ku u ftua presidenti dhe jo kryeministri për të treguar Greqia forcën e saj se çfarë ndodh në rast se kemi një marrëdhënie të tendosur por edhe në një farë mënyre për ta lokalizuar konfliktin dhe për të rritur presionin ndaj kryeministrit të Shqipërisë, gjë që nuk u pranua edhe me refuzimin që Begaj i bëri ftesës. Karrigia bosh ngjalli diskutime edhe pas samitit ku ka zënë një rol të rëndësishëm duke zbehur pak vëmendjen tek Zelensky apo tek çështja e luftës në Ukrainë apo zgjerimit me vendet e Evropës lindore të cilat janë në një farë mënyre në konflikt me Rusinë, gjë që nuk është pozitive në tërësi me Ballkanin, as për Greqinë. Ka pasur vazhdimisht bllokime në procesin e integrimit si i Maqedonisë së Veriut, dhe nuk është gjë e mirë që të kemi një përsëritje të bllokimit ku prapë faktor kryesor do të ishte Greqia.
Aktualisht që flasim ende jo, por momenti i parë do të jetë për mbajtjen e konferencën ndërqeveritare ku do të duhet që të gjithë vendet të jenë dakord për vlerësimin që i bëhet Shqipërisë për progresin për këtë hap të rëndësishëm. Por mendoj se jemi ende herët për të bërë parashikime të zymta dhe për faktin që është një luftë diplomatike midis vendeve dhe Greqia përpiqet të ushtrojë presionin e saj por do të shihet me avancimin e situatës dhe nëse do të kemi një mbështetje nga vendet anëtare ndaj qëndrimit të Greqisë do ta komplikonte situatën e Shqipërisë por për momentin jemi në këmbimin e toneve të larta midis dy vendeve.“, theksoi Gjipali.
I pyetur se deri ku mund të arrijë Greqia me kërcënimet, ai tha se mund të bllokojë procesin e integrimit ashtu siç ka bërë ndër vite me Maqedoninë e Veriut.
“Është bllokimi i procesit të integrimit gjë që ka ndodhur me rastin e Maqedonisë ku për më shumë se 10 vite, Greqia bllokoi ecjen përpara të saj për shkak të çështjes së emrit. Nuk besoj se do të jetë një rast i tillë sepse çështja nuk është aq madhore. Bëhet fjalë për një rast që ka të bëjë më shumë me drejtësinë sesa me politikën. Por mbetet për t’u parë se si do të ecë procesi gjyqësor sepse rrjedha e tij ka rëndësi në trajtimin e çështjeve, për të ndarë elementin politik nga ai i drejtësisë.“, shtoi më tej ai./abcnews.al