Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni ka folur rreth zhvillimeve aktuale në vend, dhe ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Por a gaboi Kosova që votoi Specialen? “Nuk mundemi me thënë që çdo gjë ka qenë perfekt. Për çështjet që janë ngrit ne nuk kemi arrit me i trajtuar në rrafshin e drejtësisë. Tani kur nga eurodeputeti u ngrit tema se pjesëtarët e UÇK’së janë marrë edhe me transplantimin e organeve ishte goditje e madhe ndaj UÇK’së dhe vlerave tona si komb”, thotë Quni për Kanal10.
Quni ka treguar se gjatë luftës janë përballur me mungesa elementare mjekësore gjatë luftës dhe se akuzat për transplantim organesh janë të pabaza.
“Ishte një eurodeputet që kishte një reputacion të lartë dhe i besueshëm sado që vlerësimi i tij ishte i pasaktë, i pabesueshëm dhe thuajse u pranua si opinion që një gjë e tillë ka ndodh.Unë si pjesë e luftës e di me sa probleme jemi përballë sidomos në fushën e mjekësisë kur kishim edhe mungesë fashash”, thotë Quni.
Quni është i bindur se do të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK’së. “Jemi të bindur se nga të gjitha ato teori që u ngritën nga eurodeputeti Marti të hiqen dilemat se nuk ka pasur akte të tilla. Kjo do e heq një barrë”, tha Quni, shkruan Gazeta Ekpress.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë dallime fetare, e as në luftë. Vetë Quni që i përket besimit të krishterë ka treguar fakte nga historia e tij personale. “Babanë e kam pasur mësues. Ka qenë i vetmi katolik në shkollë. Nuk ka pasur kurrë probleme, madje ka qenë i privilegjuar”, tha Quni./mv.abcnews.al