A ka rënë interesi i amerikanëve për Lojërat Olimpike?

schedule07:26 - 22 Korrik, 2021

schedule 07:26 - 22 Korrik, 2021

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios të premten do të nisë nën hijen e pandemisë, e cila nxiti shtyrjen në kohë të kësaj ngjarjeje sportive, krijoi probleme me garat përpara saj, si dhe pritet të mbajë larg spektatorët nga tribunat, e madje të pengojë disa atletë të garojnë.

Për vëzhguesit e rastësishëm në Shtetet e Bashkuara, entuziazmi duket i vështirë të gjendet para Lojërat Olimpike.

“Vështirë se kemi dëgjuar shumë për këtë aktivitet”, i tha Zërit të Amerikës, Kevin Watson një banor nga Aleksandria e shtetit të Virxhinias. “Ka më pak intervista me atletë apo reklama televizive për sportet”.

Edhe para pandemisë interesi mbi Lojrat Olimpike Verore ishin në rënie.

Të dhënat e mbledhura nga faqja “Zeta Global” me bazë në Nju Jork tregojnë se 60% e amerikanëve nuk ishin të interesuar apo të ngazëllyer rreth Lojërave të Tokios. Dhe madje rreth 45% nuk i prisnin fare me padurim.

Mungesa e spektatorëve

Sipas faqes në internet “Zeta Global” mes arsyeve për këtë mungesë interesi ishin shtyrja e lojërave të vitit të kaluar, rënia e dëshirës për t’u ulur para televizorit pas një viti bllokimi si dhe ndalimi i spektatorëve për të ndjekur nga afër këtë ngjarje sportive.

“Meqenëse nuk do të ketë spektatorë për të parë, brohoritur dhe bërtitur nga tribunat, kjo e bën ngjarjen e mërzitshme”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Alex Willman nga Karlsbadi i Kalifornisë. “Gjeja më e bukur e çdo ngjarjeje sportive me një audiencë të madhe është të shohësh reagimin e tyre ndaj rezultatit”, shton ai.

Eliot Greenwald thotë se ai nuk i ka kushtuar shumë vëmendje aktiviteteve sportive që i paraprinë Lojërave Olimpike. Marinari nga Bethesta i shtetit të Merilendit, thotë se ndoshta interesi do t’i ndizet me fillimin e tyre, veçanërisht për sportet ujore, si lundrimi e zhytja.

Në kushtet kur disa prej atletëve kanë rezultuar pozitivë për koronavirus, disa mendojnë se Lojërat e Tokios duhet të shtyhen sërish.

“Unë i dua Lojërat Olimpike, por nuk mendoj se duhet të zhvillohen tani”, thotë për Zërin e Amerikës Barry Hunter, trajner boksi në palestrën “Headbangers” në Uashington. Ai shton se për shkak të pandemisë “çdo amerikan i thjeshtë nuk është aq i ngazëllyer për to, siç do të ishte normalisht”.

“Ato duken më pak të rëndësishme kur ndodh një pandemi në të gjithë botën”, thotë Louise Korver, e cila jeton në Hantersvill të Karolinës së Veriut.

Por për Jeff Shell-in, shef ekzekutiv i NBC Universal, rrjetit kryesor televiziv amerikan që do të transmetojë pjesën më të madhe të Lojërave Olimpike, kjo është koha e duhur që kjo ngjarje të nisë.

NBC do të transmetojë 7,000 orë mbulim në rrjetet e saj të shumta televizive. Zoti Shell tha gjatë një konferencë virtuale këtë javë se Lojërat e Tokios mund të ishin aktiviteti më fitimprurës në historinë e NBC.

Etja mes disa tifozëve

Mungesa e entuziazmit nuk është aspak diçka e përgjithshme. Disa amerikanë mezi presin të shikojnë sportet e tyre të preferuara.

Luisa Handem Piette nga Londonderry i shtetit Nju Hempshër, thotë se ajo do të jetë në mesin e atyre që do të rrijnë ngjitur pas televizorit duke parë Lojërat Olimpike. “Publiku amerikan do të jetë shumë më i madh nga sa parashikohet”, tha ajo në një intervistë telefonike për Zërin e Amerikës.

Bob Mandau nga Chesterland-i i Ohajos, thotë se ai e mirëpret Olimpiadën, duke e parë si një shkëputje shumë të nevojshme nga politika negative që përcillet në televizo.

Ndërkohë Rick Kinney nga Wellesley i shtetit Masaçusets, thotë se amerikanët si ai do t’i shohin Lojërat Olimpike sepse “njerëzit i pëlqejnë historitë që të bëjnë të ndihesh mirë si ato rreth përpjekjeve të atletëve për të mbërritur deri aty”.

Sam Doering është pjesë e ekipit të notit në Kolegjin Hendrix në Conway të Arkansasit. Ajo do të ndjekë garat ku merr pjesë amerikania Katie Ledecky, një prej notareve më të mira në botë dhe favorite për medalje.

“Mendoj se do të jetë dicka fantastike të shohësh Ledecky-n dhe shpresoj që edhe notarë të tjerë amerikanë të dalin mirë në garat e notit”, tha ajo.

“Të dëgjosh himnin kombëtar pasi ata kanë fituar medaljet është vërtet diçka interesante”, thotë ajo.

Nga të gjitha disiplinat sportive, gjimnastika për femra parashikohet të jetë më e ndjekura nga amerikanët. Zeta Global parashikon që 33% e njerëzve të interesuar për Lojërat Olimpike të përqendrohen tek ky sport.

Ashley Umberger, pronare dhe trajnere kryesore në Akademinë e Gjimnastikës North Stars në Boonton, të Nju Xhersit thotë se ekipi amerikan i femrave “duhet të jetë ai që duhet ndjekur”. Amerikanët thotë ajo do të përqëndrohen për të parë Simone Biles, gjimnasten kryesore “e cila po shënon arritje te mëdha”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!