Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë intervistës në “ABC” u shpreh se nga vizita në Tiranë kishte një peng. “Po për shkak të pandemisë ishte e pamundur që ta organizonim si do të donim. Dëshira ime e madhe është të takoj përveç liderëve edhe grupe të tjera që përfaqësojnë, artin, kulturën, studentët, por për shkak të pandemisë janë rrethana të tjera, që nuk na lejojnë ta plotësojmë. Për të dëgjuar nga grupet e interesit, jo vetëm nga politika. Shpresoj që shumë shpejt do ta bëjmë edhe këtë pjesë” tha ajo.
Por a ka ajo një preferencë për liderët në Tiranë? “Për mua trajtimi është i njëjtë, preferenca kam për popullin shqiptar. Lidhja ime është për qytetarët. Liderët ndryshojnë, sot është dikush nesër dikush tjetër. Është dëshirë e jona që të bashkëpunojmë me gjithsecilin, pasi nuk do të falej nëse liderët nuk do të hapnin rrugë bashkëpunimi. Unë bashkëponoj me të gjithë, nuancat cfarë qëndrimi kanë ata janë cështje tjetër. Unë nuk isha në cilësi personale, por institucionale, prandaj detyra ime është ti takoj me të gjithë” tha ajo./ db/Abcnews.al