A ka më kuptim “neutraliteti” për Ukrainën pas përfundimit të luftës?

schedule10:16 - 4 Qershor, 2022

schedule 10:16 - 4 Qershor, 2022

Nga Andrew Cheatham “The United States Institute of Peace

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Menjëherë pas fillimi të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, disa analistë thanë se Kievi mund të bjerë dakord me kushtet e “neutraliteti” si pjesë e një marrëveshje paqeje me Rusinë. Por ky koncept është hedhur poshtë në muajt që pasuan, pasi brutaliteti dhe krimet e luftës të ushtrisë ruse, kanë bërë që Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar të forcojnë qëndrimin e tyre në konturet e një marrëveshjeje paqeje.

Madje, Suedia dhe Finlanda kanë vendosur të braktisin neutralitetin e tyre disa dekadësh, dhe kanë aplikuar për t’iu bashkuar NATO-s. Në këto kushte, a i jep fund lufta Rusi-Ukrainë çdo lloj mundësia që ky vend të jetë neutral? Koncepti i neutraliteti, siç ekziston sot, u përmblodh gjerësisht nga Cyrus French Wicker në vitin 1910.

Sipas tij “neutraliteti është imponimi përmes një marrëveshje ndërkombëtare i neutralitetit të përhershëm mbi hapësirat tokësore dhe detare”. Koncepti i Wicker mori formë pas luftërave të Napoleonit, kur përfaqësuesit e fuqive të mëdha u angazhuan që të vendosnin stabilitetin në të gjithë Evropën.

Më i famshëm nga të gjithë, neutraliteti zviceran, ka qenë në zhvillim e sipër për një kohë shumë të gjatë. Ai nisi pas betejës së Marignano në vitin 1515, kur Zvicra nënshkroi një traktat në bazë të të cilit angazhohej të mos përdorte asnjëherë armë kundër francezëve. Por ishin një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare dhe instrumente të tjera ligjore, përfshirë Aktin Përfundimtar të Kongresit të Vjenës dhe Traktatin e Dytë të Parisit në vitin 1815, ato që siguruan marrëveshje komplekse tregtare dhe të sigurisë për kantonet individuale dhe neutralitetin e Zvicrës.

Nga ajo epokë me rëndësi të veçantë është Akti Final i Kongresit të Vjenës, që parashikoi kushte të drejtpërdrejta për neutralitetit e qytetit të Krakovës, Poloni. Dispozitat theksonin se “Qyteti i Krakovës shpallet përgjithmonë një qytet i lirë, i pavarur dhe rreptësisht neutral, nën mbrojtjen e Austrisë, Rusisë dhe Prusisë”.

Në pamje të parë, neutraliteti duket se është në kontrast të plotë me anëtarësimin në një aleancë të fuqishme sigurie. Por Traktati i Atlantikut të Veriut që formoi NATO-n, ka treguar se nuk është tamam kështu. Së pari është thelbësore që marrëveshjet e paqes, të kenë komponentë operacionalë që nxisin bashkëpunimin.

Aleancat e sigurisë përmbajnë në thelbin e tyre detyrimin e mbrojtjes kolektive, siç tregohet nga neni 5 i Traktatit të NATO-s dhe neni 4 i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia. Ishte shkelja e neutralitetit të Belgjikës nga Gjermania në vitin 1914, ajo që nxiti Britaninë e Madhe të mbështeste garancitë e saj të sigurisë sipas Traktatit të Londrës të vitit 1839.

Ekzistojnë disa paralele me pushtimin gjerman të Belgjikës në Luftën e Parë Botërore, që janë paralele me konfliktin e sotëm në Ukrainë. Ashtu si Rusia, edhe Gjermania humbi mbështetjen e opinionin publik, duke zhvilluar një luftë brutale dhe duke vrarë mijëra civilë belgë.

Belgjika bëri një rezistencë të fortë duke ruajtur të pa pushtuar një pjesë të vogël të vendit deri në armëpushimin e vitit 1918. Ishte ajo rezistencë e guximshme që siguroi një lidhje thelbësore për komunikimet dhe linjat e furnizimit për Fuqitë Aleate.

Por çfarë i shtyn disa vende të bien dakord për neutralitetin e tyre? Dhe si duhet të funksionojnë mekanizmat juridikë ndërkombëtarë? Që nga shekulli XIX-të, neutraliteti ka qenë një mjet ligjor bashkëpunues, i përdorur nga fuqitë e mëdha për të ndjekur interesat strategjike në territoret e mundshme të diskutueshme.

Për shekuj, terreni malor e bën Zvricrën një vend shumë të përshtatshme për rivalitetin midis fuqive të mëdha midis Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Në 1830, Belgjika u krijua si një vend i pavarur dhe neutral që shërbente si një tampon midis Francës dhe Gjermanisë.

Dhe ishte Traktati i Parisit i vitit 1856, ai që përcaktoi neutralitetin e Detit të Zi.

Natyrisht, ky status u përdor edhe si pjesë e ndarjes së dënueshme të territoreve koloniale, siç e pamë në rastin e Basenit të Kongos, sipas kushteve të Kapitullit të Tretë të Aktit të Konferencës së Berlinit. Po ashtu, neutraliteti ka qenë një mjet i përdorur edhe për të ndërmjetësuar interesat strategjike dhe ekonomike të fuqive të mëdha.

Është argumentuar se mosmarrëveshjet strategjike mbi Ukrainën gjejnë shpjegim në “Teorinë e territorit qendror” (Heartland) të Sër Halford Mackinder të vitit 1904. Sipas modelit të tij, “Ukraina është thelbësore për të kontrolluar Eurazinë”.

Një koncept që më vonë do të frymëzonte nazistët si dhe nacionalistët e krahut të djathtë të Putinit, Mackinder deklaroi: “Kush sundon Evropën Lindore, komandon qendrën; kush sundon qendrën komandon Ishullin Botëror (Eurazinë dhe Afrikën); dhe kush sundon Ishullin Botëror komandon botën”.

Me rënien e Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara u shfaqën si fuqia e madhe në një botë të re “unipolare”. Ishte ky konteksti në të cilin u diskutua në vitin 1994 statusi i sigurisë së Ukrainës. Në atë kohë, shqetësimet e jashtme mbi statusin e sigurisë së Ukrainës nuk kishin të bënin shumë me zotërimin prej saj të armëve bërthamore dhe afërsisë me Rusinë.

Nga ana e saj, Ukraina kërkonte llojin e garancive dhe mbrojtjeve të fuqishme që i ofroheshin Belgjikës në vitin 1830, kur Kievi hoqi dorë vullnetarisht nga rezerva e tretë më e madhe në botë e armëve bërthamore, dhe nënshkroi atë që u bë e njohur si Memorandumi i Budapestit në vitin 1994, si pjesë e negociatave për t’u bërë pjesë e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Memorandumi u nënshkrua nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe më vonë u mbështet nga Franca dhe Kina. Ai përmbante angazhime nga palët për të ndihmuar në mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Nënshkruesit dhanë “garanci” se çdo akt agresioni do të denoncohet menjëherë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në vitin 2010, parlamenti i Ukrainës miratoi një ligj që përcaktonte statusin e mos-angazhimit të vendit në ndonjë aleancë. Por neutraliteti i Ukrainës nuk e ndaloi Rusinë të pushtonte një pjesë të këtij vendit në vitin 2014. Madje e bëri më të lehtë.

Pra, angazhimi fuqive të mëdha ndaj Ukrainës u testua atë vit me pushtimin e Krimesë nga Rusia dhe Ukrainën Lindore. Pavarësisht garancive, Shtetet e Bashkuara pohuan se nuk e konsideronin memorandumin një marrëveshje ligjore që kërkon një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake, duke theksuar se ai ishte një deklaratë e qëllimeve politike.

Por profesori i shquar i së drejtës ndërkombëtare Steven Blockmans ka thënë se “pavarësisht asaj që sugjeron emri i tij, memorandumi kualifikohet si një marrëveshje ndërkombëtare sipas kushteve të Konventës së Vjenës të vitit 1969 mbi Ligjin e Traktateve”.

Përvojat me Memorandumin e Budapestit ka të ngjarë të diktojnë të ardhmen e statusit të Ukrainës. Në qendër të konsideratave mund të jetë parimi i së drejtës së traktatit “pacta sunt servanda” – i mishëruar në nenin 26 të Konventës së Vjenës – që thotë se “çdo traktat në fuqi është i detyrueshëm për palët që bëjnë pjesë në të, dhe duhet të zbatohet në mirëbesim”.

Sigurisht, pengesa më e madhe do të jetë sigurimi i besueshmërisë së Rusisë për ukrainasit. Putini ka qenë i qartë për këtë pikë, duke deklaruar në vitin 2015, një vit pas shpërthimit fillestar të konfliktit me Ukrainën: E çfarë lidhje ka këtu besimi? Gjithçka ka të bëjë me marrjen në konsideratë të interesave tona!”.

Në kontekstin e përfundimit të luftës, kjo do të thotë se garancitë e besueshme të sigurisë nga partnerët ndërkombëtarë, do të jenë të rëndësishme më shumë se kurrë për të kundërshtuar shpërfilljen cinike të Rusisë ndaj normave ligjore ndërkombëtare.

Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!