A funksionon vërtetë java 4-ditore e punës?

schedule18:05 - 5 Janar, 2023

schedule 18:05 - 5 Janar, 2023

Nga Emma Jacobs

Pesë vjet më parë, Uajat Uots nisi ditën e tij të parë të punës në Platten’s in Wells–next-the-Sea in Norfolk në Norfolk, Anglinë Lindore. “Më dukej si një sfidë përballja me një ritëm të shpejtë të një dyqani që shiste peshq dhe patate të skuqura.

Ndërkohë në një nga ditët e verës që shkoi, Uots, tashmë një drejtues ekipi, po përgatitej për një test të ri. 26-vjeçari ishte i shqetësuar se puna e tij do të bëhej më intensive dhe stresuese. Megjithatë, ai ishte i vendosur që ta provonte. Sepse, nëse ai mund ta bënte punën e tij të përjavshme nga 40 në vetëm 32 orë – duke pastruar kuzhinën prej çeliku inoks, duke përgatitur bizelet e skuqura dhe brumin, dhe menaxhuar repartin e tij – ai do të merrte pagë të plotë dhe do të kishte më shumë kohë të lirë.

Platten’s është një nga 70 kompanitë, me mbi 3.300 punonjës, të cilët u regjistruan në provën që u krye në Britaninë e Madhe me javën 4-ditore të punës, që ka nisur që në qershor dhe përfundon më 6 dhjetor. Testi drejtohet nga “4 Day Week Global”, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga Endrju Barnes, një sipërmarrës nga Zelanda e Re, që e ka vënë në zbatim këtë praktikë në kompaninë e tij të shërbimeve financiare “Perpetual Guardian” pas një testi të suksesshëm në vitin 2018.

Studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit, Universitti i Bostonit dhe ai i Oksfordit do të matin ndikimin që ka një jave pune më e shkurtër në produktivitetin në punë dhe mirëqenien e njeriut. Projektet pilot që po zbatohen paralelisht në Irlandë dhe SHBA, i përbërë nga 33 kompani dhe 903 punonjës, po tregon shenja premtuse.

Një raport paraprak i “4 Day Week Global” zbuloi se “shëndeti fizik dhe mendor, pra bilanci dhe kënaqësia mes punës dhe jetës u rrit ndjeshëm”. Ndërsa të ardhurat u rritën rreth 8 për qind, mungesat në punë u reduktuan dhe dorëheqjet nga puna pësuan gjithashtu rënie.

Interesi për javën 4-ditore ka ardhur duke u rritur. Vitin e kaluar, kompania “Unilever” në Zelandën e Re kaloi në javën 4-ditore të punës, teksa kohët e fundit kjo praktikë po zgjerohet edhe në Australi. Në Britaninë e Madhe, “Atom Bank” vendosi vitin e kaluar kalimin tek java 34-orëshe e punës. Ndërsa në Belgjikë, punëtorët fituan të drejtën për ta kaluar nga 5 në 4 ditë pune duke premtua të njëjtin volum pune.

Provat u dëmtuan si pasojë e pandemisë, e cila i detyroi punonjësit të punonin nga shtëpitë e tyre dhe e prishi rutinën e punës në zyrë, nga ora 9 e mëngjesit me 5 të pasdites. Eksperimente të tjera përfshijnë një javë fleksibël 7-ditore nga kompania inxhinierike Arup.

Por që nga fillimi i testit, ekonomia është përkeqësuar. Ndaj shumë njerëz po pyesin nëse punëdhënësit do të tërhiqen nga politikat fleksibël të punës të zbatuara gjatë pandemisë. Kompania e teknologjisë, Snap, që në fillim të këtij viti njoftoi pushimet nga puna, u kërkoi kohët e fundit punonjësve të vinin në zyrë vetëm 4 ditë në javë.

Mbrojtësit e javës 4-ditore theksojnë se në dallim nga një stinë apo një ditë, nuk ka asgjë të natyrshme në javën e punës. Fundjava 2-ditore – pra të mos-punuarit të shtunën – nuk filloi në Mbretërinë ë Bashkuar deri pas Luftës së Dytë Botërore, duke shfuqizuar argumentet se koha e tepërt e lirë mund të nxiste aktivizmin politik midis klasave punëtore.

Nëse testet fillestare nxitën përhapjen e gjerë të javës 4-ditore të punës, avokatët thonë se përfitimet më të gjera shoqërore mund të përfshijnë rritjen e barazisë gjinore, përmirësimin e mirëqenies psiko-fizike, si dhe reduktimin e ndotjes mjedisore.

Nga na tjetër kundërshtarët e kësaj praktike, i frikësohen rënies së prodhimit, krahas rreziqeve të tjera si ezaurimit nervor të punonjësve, humbja e rëndësisë së kulturës së vendit të punës apo nisja e punëve të dyta nga shumë njerëz. Sipas tyre rreziqet nuk janë vetëm një rënie e prodhimit, por që intensiteti i punës me një ditë më pak, mund të zhbënte çdo përfitim nga të pasurit një ditë shtesë pushimi.

Brendan Barçëll, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Kembrixhit dhe një nga vëzhguesit e testit thotë: “Ne e dimë që një nga gjërat shumë negativ për shëndetin mendor të njerëzve është presioni i vazhdueshëm i kohës, ku gjithmonë duhet të punojmë për të bërë punët brenda afateve të shkurtra dhe me një shpejtësi të madhe”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!