Uthulla e mollës është bërë shumë e njohur vitet e fundit kryesisht për vetitë e saj kuruese. Ka shumë pretendime se mund të ndihmojë me humbjen e peshës, trajtimin e akneve, tretjen dhe madje edhe diabetin. Por a është e vërtetë e gjithë kjo?
Përbërësi kryesor në uthullën e mollës është acidi acetik, për të cilin pretendohet se mund të sjellë humbje peshe, uljen e kolesterolit apo shkatërrimin e baktereve dhe qelizave kancerogjene. Megjithëse janë kryer studime për të testuar përfitimet e uthullës së mollës, nuk janë gjetur të dhëna për të mbështetur këto pretendime.
Megjithatë, uthulla e mollës është zbuluar se ka veti antimikrobike, duke e bërë atë të dobishme për pacientët me imunitet të kompromentuar që vuajnë nga infeksionet mikrobike. Megjithatë, kjo vlen vetëm kur përdoret së bashku me trajtime të tjera.
Gjithashtu për sa i përket humbjes së peshës sigurisht që uthulla e mollës nuk është një pije magjike që do t’ju bëjë të humbni peshë në mënyrë magjike. Në fund të fundit, siç e kemi thënë shumë herë, një dietë e ekuilibruar, stërvitje dhe menaxhimi i stresit janë elementët kryesorë të një stili jetese të shëndetshëm.
Së fundi, është e rëndësishme të dini se për shkak të vetive të saj acidike, konsumimi i uthullës së pastër të mollës mund të çojë në çrregullime gastrointestinale. /abcnews.al