Emisioni “Bardh a Zi” në puntatën e sotme në “ABC” i bëri gjyqin “drogës”, por a duhet të legalizohet hashashi për qëllime mjekësore? A kemi ne shtet që të kontrollojë legalizimin? Por nëse legalizohet do ta kultivojë edhe fermeri i thjeshtë apo do të jetë monopol? Të gjitha këto pikëpyetje sollën debat në emision. Gazetari Artan Hoxha e krahasoi me atë të ligjit të ndalimit të lojërave të fatit nëse ndodh. Ai tha se nëse do të lejohet do të jetë monopol në një dorë të vetme.
“Qytetarët, unë njoh edhe në rrethin tim shoqëruar që e kanë konsumuar dhe e konsumojnë kanabisin. Është e lirë dhe e gjen kudo. Qëllimi i legalizimit ka tjetër gjë. Nuk do të thotë se do të kultivohet nga fermerët nga fshatarët, por nga oligarkët, monopol. Kultivimi i kanabisit mjekësor kërkon investim. Në Maqedoni kultivohet me llampa ose serë edhe është në monitorim me kamera. Kompania qëndron aty për të parë standardin e cilësisë së vajit. Nëse çmimi bie nuk mbjell njeri kot. Lazarati ishte thjesht një territor i cili kishte një licencë shtetërore për të kultivuar.
Në asnjë moment në Shqipëri nuk është mbjellë vetëm në një vend. Në Lazarat kanabisi u fut kur u luftua në lumin e Vlorës dhe Cakran. Por edhe kur Lazarati ishte brand, kultivohej në Dukagjin, etj. Në 9 maj të këtij viti kryeministri artikuloi tezën se kemi bërë gati tezën për legalizimin e kanabisit, kohë që përkon me fazën e inkubacionit të kanabisit.
Kjo gjë nga mua që vija vërdallë në Shqipëri u përkthye në një mesazh që këtë vit “jepini”, “jemi në vit zgjedhor” dhe nuk “do të na bezdisin shumë”. Sivjet nuk gjeta vetëm parcela, por edhe kufoma. Sot në Vlorë ka një muaj e gjysmë që Ermal Ngucaj është vrarë dhe zhdukur kur ka shkuar te parcela e kanabisit dhe nuk i është gjetur kufoma”.
Artan Hoxha tregoi edhe shembullin e Maqedonisë. “Në maj gjeta dy djem që kishin punuar 2 vite në Maqedoni te kompanitë që kishin licencë. I pyeta pse e latë punën? Më thanë se qeveria maqedonase dha 27 licenca, në 10 të parat 6 të parat ishin shqiptarë të Shqipërisë, që e njihnin procesin. Vajtëm dhe thanë nuk na kërkoi askush korrupsion, na thanë sa do të jetë investimi dhe qeveria i ndihmoi që të investonin.
Të 27 kompanitë investuan, kultivuan sasi të mëdha. Cfarë ndodhi? Në fund kompanitë merrnin vetëm vajin që kishte 94% pastërti, dhe nuk e prodhonte asnjë nga 26 kompanitë, vetëm një kompani amerikane që kishte laboratorin me vete që kushton 5 mln euro dhe kanabisi mbeti stok në Maqedoni dhe presin nga parlamenti që të legalizojë shitjen e boçes, jo vetëm vajit”.
Këtë vit tha Hoxha, kishte një rritje të kultivimit të kanabisit. “Shqipëria sot një nga brand-et më të mira që eksporton është kanabisi, për fat të keq. Merremi këtë vit, pse në 2020 kanabisi pati një rritje, sepse jemi para një viti elektoral dhe bllokimi i kufijve rriti fuqinë punëtore, pasi u bllokuan kufijtë” tha ai. Ndikimi tha Hoxha do të jetë edhe në zgjedhje. “Në zonat ku ka pasur rritje të kultivimit të kanabisit, sivjet nuk denoncoi as opozita. E di ç’më thanë, kur kemi denoncuar në zonat ku është kultivuar kemi dalë gropë, heshtën të kapin ndonjë votë”.
Deputeti socialist Alket Hyseni thotë se duhet të hapim sytë dhe të shikojmë tredin botëror duke qenë pro legalizimit. Nëse realizohet, ai tha se do të ndikojë në ekonomi. “Duhet të hapim sytë dhe të shikojmë trendin botëror. Marijuana është e ndaluar dhe do të vijojë që të jetë. Por cili është trendi? Është drejt legalizimit. Por nuk janë pjekur disa kushte, mentaliteti i shoqërisë sonë, për të edukuar veten drejt masave të caktuara. Mund të ketë një ndikim në ekonomi, edhe nëse do të legalizohet do të jepen disa licenca në varësi të territorit dhe kompanive.
Ka legalizim për qëllime mjekësore dhe rekreative, për këtë të dytën nuk jemi gati. Nuk besoj që edhe po e legalizuam do të jemi Holanda, do të jetë për prodhim farmaceutik, nuk ka lidhje fare me publikun dhe përdoruesin. Kur e ka filluar Shqipëria këtë gjë për qëllime fitimi bota e kishte kaluar në nivele sipërore procesin. Ky është një fenomen negativ si alkooli, që dikur ka qenë i ndaluar. Kryeministri ka hedhur dorezën për një debat publik për legalizimin për arsye mjekësore. Sado pak ndikon në ekonomi.
Nëse ke kontaktet e duhura me kompanitë mund të jetë një treg serioz. Maqedonia nuk e diskuton nivelin e 100 mln, sido që të jetë është një treg global dhe i kërkueshëm. Mendoj se Shqipëria mund të hyjë në këtë treg. Ka ardhur koha për ta shtruar si debat, a do të legalizohet këtë nuk e vendos asnjë, as kryeministri. Lidershipi pasi teston opinionin mund të vendosë pse jo. Ajo që është shqetësuese është fenomeni i kultivimit të paligjshëm. Mos e bëni Shqipërinë ‘delen e zezë’. Shqipëria sot prodhon shumë pak edhe të paligjshme. Tema e vetme është e mund të legalizohet disa licenca për përdorim farmaceutik apo jo?”.
Por çfarë mendon avokati Genc Gjokutaj? Ai është kategorikisht kundër. “Hashashi mjekësor është si paracetomoli që përdoret për qëllime shëndetësore, pastaj sa jemi në gjendje që në të thatin të djegim edhe të njomin, kjo është çështje ligji. Droga ndikon në vijmësinë e sjelljes, dëmton shëndetin. Si të legalizojmë ne një gjendje kriminale? Një lëndë që shkakton gjithë këto pasoja të rënda? Përdorimi i narkotikut në fushatë përcakton rezultatin, ti nuk mban mend për kë ke votuar, kam qenë dru thua, rezultatin e nxjerr zotëria. Absolutisht nuk duhet të lejohet. Po ligjëruam drogën, kemi ligjëruar krimin. Situata ku ndodhet Shqipëria ka qenë e rëndë. Kjo është një plagë e madhe sociale” tha ai. Eksperti i ekonomisë Pano Soko tha se nëse legalizohet ndikimi në ekonomi do të jetë “50-100 mln dollarë do të jetë vlera e shtuar në ekonomi” tha ai./ db/Abcnews.al